DREJT ZGJEDHJEVE, ME KOKËN MBRAPA/ Votohet për kryemistrin e vendit më 5 Mars, pas përleshjeve të shtatorit
Nepali po shkon drejt zgjedhjeve të 5 marsit në një klimë të tensionuar pas protestave të përgjakshme të shtatorit 2025, që detyruan kryeministrin Sharma Oli të jepte dorëheqjen. Ndërsa familjet kërkojnë drejtësi për të afërmit që humbën në përleshjet me policinë, figura të reja si Balendra Shah po fitojnë mbështetje të gjerë.
Nepali po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme të 5 marsit, në një klimë të tensionuar politike që buron nga kryengritja e përgjakshme e shtatorit 2025.
Protesta, të udhëhequra kryesisht nga të rinjtë e gjeneratës Z, shpërthyen më 8 dhe 9 shtator pranë parlamentit në Katmandu, si reagim ndaj korrupsionit, papunësisë dhe pakënaqësisë së thellë me klasën politike. Përplasjet me forcat e sigurisë rezultuan fatale, 77 persona humbën jetën brenda dy ditësh.
Ngjarjet tronditën vendin dhe çuan në dorëheqjen e kryeministrit të atëhershëm, Sharma Oli, duke hapur rrugën për një qeveri të përkohshme dhe për zgjedhje të reja.
Në prag të votimit, familjet e viktimave kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi për përdorimin e municionit ndaj protestuesve.
Një komision shtetëror hetimor është ngritur për të shqyrtuar ngjarjet, por raporti përfundimtar ende nuk është publikuar, çka ka rritur dyshimet dhe pakënaqësinë publike.
Kryengritja ka ndryshuar ndjeshëm klimën politike në vend.
Zhgënjimi ndaj partive tradicionale ka krijuar hapësirë për figura të reja.
Ndër emrat më të përfolur është ai i Balendra Shah, i lidhur me Rastriya Sëatantra Party, një forcë politike që premton reforma të thella institucionale, luftë kundër korrupsionit dhe ringritje ekonomike.
Për familjet që humbën të dashurit e tyre, vota e 5 marsit shihet si një mundësi për të kthyer dhimbjen në ndryshim, ndërsa shumë qytetarë shprehen se zgjedhjet e këtij viti nuk janë thjesht një proces politik, por një moment vendimtar për të ardhmen e Nepalit.
