TEC-i Kombinatit kthehet në landfill mbeturinash, ku janë institucionet?

Situata pranë Termocentralit të Kombinatit në Tiranë po shndërrohet në një tjetër simbol të dështimit institucional për menaxhimin e territorit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Një qytetar ka denoncuar për JOQ se hapësirat përreth godinës së TEC-it janë kthyer në vendgrumbullim të paligjshëm mbeturinash, ndërsa autoritetet vijojnë të heshtin.

Sipas denoncimit, në zonë hidhen vazhdimisht mbetje urbane, inerte ndërtimi dhe materiale të ndryshme, duke krijuar grumbuj të mëdhenj plehrash pranë koshave të papastruar. Pamjet e siguruara tregojnë një realitet alarmant: mbeturina të shpërndara në tokë, mungesë pastrimi dhe asnjë shenjë kontrolli apo monitorimi nga strukturat përgjegjëse.

Banorët e Kombinatit shprehen se situata është përkeqësuar ndjeshëm javët e fundit. Era e rëndë dhe prania e mbetjeve, sidomos me rritjen e temperaturave, po e bëjnë jetesën gjithnjë e më të vështirë. Përtej ndotjes vizuale, shqetësimi kryesor lidhet me rrezikun për shëndetin publik dhe ndotjen e mjedisit.

Ata kërkojnë marrjen e masave urgjente për pastrimin e zonës, vendosjen e tabelave ndaluese dhe monitorim të shtuar për të parandaluar hedhjen e mëtejshme të mbetjeve. Ata apelojnë që autoritetet vendore të reagojnë sa më parë për të rikthyer normalitetin në këtë pjesë të qytetit.

Ndërkohë që qeveria promovon projekte të mëdha infrastrukturore dhe investime publike, realiteti në terren shpesh tregon një tjetër panoramë: mungesë kontrolli, neglizhencë dhe standarde të dyfishta në trajtimin e problematikave të përditshme të qytetarëve.