Arrestimi i Pëllumb Salillarit, sfida e SPAK përballë “Bimbashit”
Një skuadër e BKH-së, me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO, ka mbyllur janarin me një operacion masiv në zyrat dhe vilat e Pëllumb Salillarit. Ish-faturinoja i Beratit, i kthyer në një nga oligarkët më të fuqishëm të vendit, është tashmë pjesë e dosjes voluminoze për abuzimet me fondet publike në infrastrukturë, ku përfshihet edhe ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Procedimi nr. 136 i vitit 2025 ka vënë në lëvizje hetuesit, të cilët kanë sekuestruar 15 telefona dhe laptopë, materiale që besohet se mbajnë "çelësin" e skemave korruptive.
Rrjeti i influencës: Rekrutimi i prokurorëve dhe policisë
Ajo që e bën Salillarin një sfidë të vërtetë për drejtësinë nuk është vetëm pasuria, por "investimi" i tij në njerëzit e ligjit.
Sipas fakteve të grumbulluara, ai ka investuar miliona euro për të rekrutuar drejtues policie, gjyqtarë, hetues të BKH-së dhe dyshohet deri në një prokuror të vetë SPAK-ut. Kjo ushtri mbrojtëse i ka mundësuar atij t’i shpëtojë sekuestros së pallateve pa leje dhe të vazhdojë krime mjedisore të pariparueshme, duke shkatërruar lumenj e zona të mbrojtura pa i hyrë "ferra në këmbë".
Skema e "Kurbanit": Pas vëllait Lulzim, radha e Bledar Starovës
Salillari njihet për taktikat e tij për t'i shpëtuar burgut duke përdorur emra të tjerë si administratorë. Për ndërtimet pa leje te Kopshti Zoologjik (një objekt 20 mijë m² me vlerë 12 milionë euro), ai vendosi si administrator vëllanë e tij, Lulzim Salillarin.
Kur Prokuroria e Tiranës nisi procesin, Lulzimi u mor i pandehur por i shpëtoi qelisë për shkak të moshës.
Tashmë që rrethi i SPAK po ngushtohet për aferat me tenderat, Salillari ka zëvendësuar vëllanë me Bledar Starovën. Ky i fundit po përdoret si "kurbani" i radhës, të cilit oligarku tenton t'i faturojë përgjegjësinë penale për vjedhjet miliona euroshe, ndërsa vetë shijon fitimet si pronar faktik.
Bizneset në emër të mekanikut dhe pensionistit: Boçova dhe Vlora
Dyshimet për pastrim parash përforcohen nga projektet e fundit energjetike dhe portuale:
Parku Fotovoltaik në Boçovë, Fier: Një investim 35 milionë eurosh që po kryhet në 40 hektarë toka bujqësore të fermerëve (të zaptuara pas 33 vitesh zotërim). Zyrtarisht, pronar është Engjëll Agalliu, kunati i Salillarit dhe ish-mekanik i tij, por punimet i kryen kompania "Bervi Construction" në pronësi të bashkëshortes së oligarkut, Afërdita Salillari.
Porti i Vlorës (Triport): Një koncesion 60 milionë eurosh i dhënë shoqërisë "Premium Construction & Maintenance". Pronari në letra është Hektor Agalliu, një punëtor pensionist nga Tërpani pa asnjë përvojë në ndërtime. Ky i fundit bleu 92% të aksioneve të koncesionit për vlera qesharake (vetëm 105 mijë euro në total), duke u bërë "pronari" i projektit miliona eurosh që kontrollon faktikisht Salillari.
Arrestimi i Pëllumb Salillarit është tashmë sfida kryesore e SPAK-ut për të treguar nëse mund të godasë "fytyrën" reale të korrupsionit apo do të mbetet peng i maskave dhe administratorëve të vendosur për të bërë burg në vend të shefit./ JOQ
