Kolonjë/ Humbi kontrollin e mjetit, traktori përfundon jashtë rrugës dhe përmbyset. Shoferi mbetet i pl*gosur

Një aksident është regjistruar mesditën e kësaj të diele në Kolonjë, ku një mjet bujqësor ka dalë nga rruga, duke lënë të plagosur drejtuesin e tij.

Sipas informacionit paraprak nga policia, ngjarja ka ndodhur më 1 mars 2026, rreth orës 14:30, në fshatin Bekovë, në hyrje të fshatit pranë Ersekës.

Shtetasi me inicialet B. Z., rreth 40 vjeç, banues në Ersekë, duke drejtuar një traktor, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, i cili më pas ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i traktorit ka marrë dëmtime, kryesisht në pjesën e këmbëve.

Ai është transportuar me ambulancë drejt spitalit rajonal të Korçë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Burime paraprake bëjnë me dije se i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.