“Paratë publike nuk janë plaçkë”/ Xhixho kundër abuzimeve me projektin e ujërave të zeza: Lana vazhdon të jetë një kanal i hapur ndotjeje

Erisa Xhixho ka reaguar në lidhje me menaxhimin e projekteve për trajtimin e ujërave të zeza në Tiranë, duke e cilësuar situatën si një skandal të qeverisjes aktuale.

Sipas saj, dhjetëra miliona euro janë shpenzuar pa rezultat, ndërkohë që lumi Lana vazhdon të jetë i ndotur në zemër të kryeqytetit.

Xhixho e quan këtë një krim mjedisor dhe financiar, duke theksuar se humbjet për shtetin shqiptar përfshijnë edhe miliona të tjera nga proceset e arbitrazhit lidhur me impiantin e trajtimit të ujërave të zeza.

Postimi i Erisa Xhixhos:

Skandali i radhës me miliona euro të zhdukura në emër të “pastrimit” të ujërave të zeza të Tiranës është një tjetër provë e qartë e modelit të dështuar të qeverisjes që ka kthyer korrupsionin në sistem.

Dhjetëra miliona euro investim të çuara dëm, pas premtimeve madhore për trajtimin e ujërave të zeza – dhe sot Lana vazhdon të jetë një kanal i hapur ndotjeje në zemër të Tiranës.

Ky është një krim mjedisor dhe financiar.

Siç shpjegohet në këtë investigim, tashmë janë të faktuara miliona euro investim të çuara dëm dhe miliona të tjera humbje për shtetin shqiptar nga proceset e arbitrazhit lidhur me impiantin e trajtimit të ujërave të zeza të Tiranës, ujëra po aq të zeza sa qëllimet e këtij sekti që ka marrë peng Shqipërinë si të ishte pronë private.

Tashmë është e provuar katërcipërisht se pas tentativave të dështuara për persekutim politik dhe linçim publik të ish-drejtuesve të LSI-së, që kishin aftësinë profesionale dhe ishin përkushtuar për implementimin e projektit , fshihet paaftësia dhe sistemi korruptiv i kësaj mazhorance me në krye Edi Ramën.

Kjo histori nuk do të mbyllet me heshtje.

Paratë publike nuk janë plaçkë. Mjedisi nuk është pronë private e pushtetit.

Prandaj sot, më 28 shkurt ora 18.00, të gjithë bashkë kundër kësaj bande.