"Nuk e marrim përsipër zhvillimin e tubimit"/ Policia sërish tërhiqet nga mbarëvajtja e protestës së PD, shkak incidentet e shkuara
Përfaqësues të Partisë Demokratike kanë njoftuar Policia e Tiranës për zhvillimin e një tubimi më 28 shkurt 2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Sipas njoftimit zyrtar, Policia i ka kthyer përgjigje opozitës duke bërë me dije se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit.
Ky qëndrim vjen pas incidenteve të regjistruara në tubimin e mëparshëm, ku pati akte dhune, përdorim mjetesh të rrezikshme ndaj efektivëve, pjesëmarrje personash të maskuar dhe përfshirje të të miturve.
Po ashtu, bëhet e ditur se ka informacione për mundësinë e përsëritjes së veprimeve të ngjashme.
Megjithatë, Policia njofton se ka marrë masa për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në kryeqytet, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe për garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, në rast se tubimi do të zhvillohet.
Qytetarëve u kërkohet që, nëse përballen me veprime të dhunshme, të distancohen dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri.
