Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes/ Gjoni: Jo vetëm përfituese e sigurisë, por kontribuese aktive
Ekspertja për çështjet ndërkombëtare, Juxhina Gjoni, në një lidhje direkte për Ora News ka folur mbi krijimin e “Bordit të Paqes”, një strukturë ndërkombëtare e mandatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara me 20 pika, për menaxhimin e krizave dhe rindërtimin pas konflikteve.
Ekspertja shpjegoi se bordi përfshin disa vende të Europës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, dhe disa vende të Gjirit dhe arabe, me qëllim balancimin e ndikimit amerikan dhe ndarjen e barrës financiare për rindërtimin e territoreve të shkatërruara nga lufta.
“Bordi i Paqes nuk është krijuar për të kontrolluar OKB-në. Ai është një strukturë e mandatuar nga vetë OKB-ja dhe duket si një përpjekje për të ndryshuar mënyrën si menaxhohen krizat dhe rindërtimi pas luftërave. Barra financiare nuk pritet të mbetet vetëm te OKB-ja, por të ndahet me vendet që kanë interes të drejtpërdrejtë në paqen globale.”- tha ajo.
Gjoni shpjegoi se bordi nuk është një mekanizëm mbikëqyrës i OKB-së, por më shumë një strukturë paralele që synon të lehtësojë barrën e rindërtimit nga luftërat dhe të përfshijë vendet me interes strategjik.
Përfshirja e vendeve të Gjirit dhe arabe shihet si një mënyrë për të balancuar ndikimin e SHBA-së, pas kufizimeve të fondeve për disa agjenci të OKB-së gjatë administratës së presidentit Donald Trump.
Një nga testet kryesore për funksionimin e bordit do të jetë menaxhimi i krizës në Lindjen e Mesme.
Faza e dytë e planit për Gazën lidhet me çarmatimin e Hamasit, një proces që mbetet i paqartë dhe që mund të ndikojë drejtpërdrejt në ecurinë e situatës në terren.
Ndërkaq ka folur dhe për pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në këtë Bord.
“Për Kosovën, pjesëmarrja është edhe një përgjegjësi ndaj aleatit strategjik që mbështeti shtetësinë e saj. Shqipëria po përpiqet të mos jetë vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuese aktive. Ftesa që nuk iu drejtua të gjitha vendeve të rajonit tregon se Tirana dhe Prishtina janë parë si të përgatitura për të qenë pjesë e këtij formati.”- u shpreh Gjoni.
Ndiqni intervistën e plotë:

