Portet turistike, deputetja e PS sqaron projektligjin, Zamira Sinaj: S’e kuptoj se pse po demonizohet kaq shumë
Deputetja e Vlorës nga radhët e Partisë Socialiste, Zamira Sinaj, ka depozituar më 6 shkurt projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 9710, datë 10.4.2007, “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”.
Në thelb të kësaj nisme qëndron një ndërhyrje direkte në mënyrën se si ndërtohen dhe operohen portet turistike, një sektor tashmë tejet i ndjeshëm për ekonominë dhe zhvillimin e bregdetit shqiptar.
E ftuar në studion e emisionit “Drejt” në “Ora News” të moderuar nga Luan Rama, ligjvënësja sqaroi detajet dhe arsyet e ndërmarrjes së kësaj nisme ligjore në Kuvend.
“Këto ditë kam hasur shumë kundërshti të kësaj nisme dhe nuk e kuptoj se pse po demonizohet kaq shumë”, u shpreh ndër të tjera deputetja Sinaj.
PJESE NGA BISEDA NE STUDIO
Zamira Sinaj: E gjej me shumë vend të jem sot pjesë e këtij paneli, pasi këto ditë kam hasur shumë, le të themi, kundërshti ndaj kësaj nisme dhe nuk e kuptoj pse po demonizohet kaq shumë.
Të gjithë këtu biem dakord për sa i përket zhvillimit turistik që po merr Shqipëria, sidomos këto pesë vitet e fundit. Dhe po ta shohim, ëh, ndërtimi i porteve është një element që i mungon sot infrastrukturës turistike.
Duke qenë se vij dhe nga rrethi i Vlorës, por të gjithë pra biem dakord kur vizitojmë qytetet turistike dhe ata ëh, individë që operojnë me ato barkat apo skafet, që marrin ata pasagjerët për t'i çuar nga një destinacion në një destinacion tjetër, sa herë janë kthyer në burim aksidentesh, si për pasagjerët, ashtu dhe për pushuesit aty pranë, për shkak të mungesës së një vend ankorimi.
Tjetër element kryesor është dhe ekonomia detare. Sa të ardhura ka humbur Shqipëria ndër këto vite? Sa vende pune, ndërkohë, ëh, ka humbur për shkak të mungesës së porteve apo dhe të marinave të jahteve.
Pra janë shumë faktorë që kanë ndikuar, le të themi, në zhvillimin e ngadaltë apo të paktë të kësaj industrie.
Në ditët e sotme kjo merr një rëndësi të veçantë, pasi Shqipëria po kthehet le të themi një perlë në Ballkanin Perëndimor dhe tashmë po shihet si një aset i investitorëve të huaj që duan të vijnë të investojnë në Shqipëri.
Por, ne e dimë që të gjitha projektet që janë në turizëm janë komplekse dhe përtej apo përveç atyre hoteleve luksozeve, njësive të shërbimit, përfshihen dhe ndërtimet e porteve turistike dhe të marinave të jahteve.
Por, kuadri ligjor e vështirëson operimin e këtyre investitorëve strategjikë, si vendas dhe të huaj, për ndërtimin e porteve turistike brenda njësisë të investimit strategjik, strategjik. Që do të thotë, në këto momente ne kemi përplasje, kundërshti apo mbivendosje të dy ligjeve, të ligjit 9710 i vitit 2007, që është ligji për portet turistike dhe ai numër 55 i vitit 2015, ligji për investimet strategjike.
Ligji për portet thotë që ndërtimi i porteve pra duhet t'i kalojë një gare konkurruese. Ndërkohë, ligji për investimet strategjike ka procedura më lehtësuese.
Dhe ka pasur aplikime sidomos në zonat bregdetare, ku investitorë të shumtë janë përballur sepse institucione të ndryshme e kanë implementuar ndryshe këtë investim, kurse institucione të tjera kanë bërë një interpretim ndryshe dhe për shkak të kësaj kundërshtie, ka pasur vonesa...
Duhet një harmonizim. Duhet unifikuar ligji.
A synon shmangien e garës ndryshimi juaj apo është një keqinterpretim?
Zamira Sinaj: Jo, nuk shmanget. Është një keqinterpretim, pasi në momentin që një investim strategjik është miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike, ai ka kaluar të gjitha hallkat dhe filtrat edhe të kontratës koncesionare. Dhe kjo, dhe pikërisht tek neni gjashtë, ai paragrafi që shtohet, është vetëm për ato investime strategjike ku në tërësinë e tyre porti është pjesë përbërëse apo pjesë integrale. Nëse porti do të ishte si një projekt i vetëm, atëherë ai do t'i nënshtrohesh të gjithë garës konkurruese dhe kuadrit ligjor.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”

