“Bordi të merret me Kosovën”, Rama mbron UÇK-në nga Uashingtoni: Gjyq i turpshëm ndaj çlirimtarëve
Mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes nisi zyrtarisht në ambientet e Institutit Amerikan të Paqes “Donald J. Trump”, në Washington D.C. me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve, qeverive dhe përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë. Pas fotos familjare me pjesëmarrësit, Seanca u çel me fjalën mirëseardhëse të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në tryezën e rrumbullakët do të ketë prezantime dhe përditësime nga figura të rëndësishme ndërkombëtare pjesëmarrëse në takim mbi natyrën historike të kësaj nisme, përpjekjet për lirimin e pengjeve dhe koordinimin e ndërmjetësve, adresimin e nevojave humanitare dhe të sigurisë në Gaza, procesin e demilitarizimit, rindërtimin përmes një plani të përgjithshëm zhvillimi, forcimin e kapaciteteve institucionale, si edhe krijimin e mekanizmave financiarë transparentë, përfshirë Fondin Sovran të Pasurisë. Axhenda përfshin gjithashtu prezantime mbi teknologjinë dhe zinxhirët e furnizimit, si dhe mbi rezultatet e matshme që synohen në terren, duke vendosur themelet e veprimit konkret të Bordit në fazën e tij të parë operacionale.
Nisja e aktivitetit të Bordit shënon një hap të ri në koordinimin ndërkombëtar për adresimin e sfidave globale të sigurisë dhe të rindërtimit. Prania e Shqipërisë në bordin themelues, dëshmon sërish se Shqipëria qëndron me vendosmëri përkrah shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.
Edi Rama: Jo vetëm duke vendosur paratë, por edhe duke sjellë arkitektët tanë që bota të shndërrojë plagët në shenja shprese. Shqipëria është nder në këtë zinxhir. Më lejoni që të sjell vëmendjen tek një konflikt shumë afër Shqipërisë.
Presidenti i Kosovës në atë kohë u ndalua që të firmoste marrëveshjen me Presidentin Trump, sot Presidenti i Kosovës ka kaluar 6 vite në paraburgim në Hagë. Disa këtu duhet të jenë të turpëruar për atë proces. Në këtë moment vetëm pak muaj qëndrojmë mes një burri që qëndroi ndaj një spastrimi etnik. Ju falënderoj shumë që përfshitë Shqipërinë në këtë Bord.
FJALA E PLOTË:
Faleminderit që më keni ftuar të jem pjesë e këtij rrugëtimi, z. President.
Vota plotësisht e harmonizuar dypartiake që parlamenti ynë pati në mbështetje të kësaj nisme, flet vetë përsa e nderuar ndihet Shqipëria që është një prej anëtareve themeluese e kësaj organizate të re.
Shumë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara por mua nuk më duket si një përpjekje për të zëvendësuar OKB-në, por nëse ndihmon ta shkundë atë gjigand në agoni dhe dashtë Zoti, ta zgjojë, atëherë, Zoti e bekoftë Bordin e Paqes.
Z. President,
Ne përgëzojmë rolin tuaj vendimtar për të ndalur konfliktin pikëllues në Gazë dhe Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimit me trupat e saj.
Në të njëjtën kohë, propozoj që ky Bord të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë drejtpërdrejtë me ndërtimin e një objekti publik të dedikuar për fëmijët palestinezë.
Duke bërë kështu, bota do të ndihmonte fëmijët e Gazës që janë pengjet më të pafajshme të lunatizmit të Hamasit, të rriteshin me praninë fizike të vargut më të madh të duarve që ka shtrënguar bashkë njerëzimi ndonjëherë, jo vetëm duke vendosur paratë, por po kështu duke sjellë dhe arkitektët e tyre në mënyrë që bota të transformojë një plagë të historisë në një oaz shprese, ku dhembshuria merr formë konkrete dhe e ardhmja merr formë rreth atyre që meritojnë më shumë, brezi i ardhshëm i palestinezëve.
Shqipëria do të ishte e privilegjuar të bëhej pjesë e këtij vargu.
Më lejoni shumë shkurtimisht t’ju tërheq vëmendjen te një tjetër konflikt i hapur ,më pranë vendit tim, ku udhëheqja e Presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë, e solli Kosovën dhe Serbinë më pranë se kurrë drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.
Presidenti i Kosovës, që, asokohe, u ndalua të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë në mënyrë brutale për të nënshkruar atë marrëveshje, në praninë e presidentit Trump dhe në fakt kjo ishte çfarë u bë nga ai prokuror sikar që përndoqi edhe vetë presidentin Trump dhe për këtë u bë i famshëm botërisht.
Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar gjashtë vjet në një paraburgim nga një gjykate e posaçme në Hagë, e sponsorizuar nga një sërë shtetesh demokratike, disa prej tyre të pranishme dhe këtu dhe që duhet t’u vijë turp nga ajo lloj drejtësie ndërkombëtare.

