Presidenti Begaj në iftarin e parë të muajit të madhërishëm: Muaji i Ramazanit, reflektim për më shumë përgjegjshmëri

Presidenti Bajram Begaj mori pjesë sonte në iftarin e parë të muajit të madhërishëm të Ramazanit, i shtruar në Tiranë nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.

Gjatë fjalës përshëndetëse në çelje të iftarit, Presidenti përcolli mesazhe të rëndësishme për familjen, shoqërinë shqiptare dhe protagonistët e jetës publike.

Duke iu referuar thelbit të agjërimit, që shkon përtej privimit nga ushqimi e lëngjet, Kreu i Shtetit theksoi se ky muaj shërben për të rritur vetëdijen tonë.

“Agjërimi pa ndershmëri, pa drejtësi dhe pa vetëpërmbajtje në fjalë e në vepër do të mbetej thjesht një ritual, një formë pa përmbajtje”, theksoi Begaj.

Presidenti i Republikës theksoi dhe rëndësinë e solidarizimit me njerëzit në vështirësi, me shpresën që ky muaj reflektimi të shërbejë si një kthim i njeriut tek thelbi, duke forcuar lidhjen me Krijuesin, dashurinë për familjen dhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë.

Kreu i Shtetit theksoi, gjithashtu, se përgjatë këtij muaji të bëhen më shumë përpjekje për kthimin e harmonisë së sofrave të iftareve në më shumë përgjegjshmëri në jetën publike dhe më shumë ndershmëri në marrëdhëniet tona të përditshme.

“Në një kohë kur bota dhe shoqëria jonë shpesh sfidohen nga tensionet, nga polarizimi dhe nga nxitimi i vrullshëm, Ramazani vjen si një ftesë e vyer për të ulur tonet, për të dëgjuar ndërgjegjen tonë dhe për të gjetur paqen e brendshme”, shtoi ai.

Begaj theksoi se Shqipëria jonë ka nevojë për këtë përmbajtje, për më shumë solidaritet njerëzor, për më shumë integritet dhe për më shumë kujdes më të sinqertë ndaj tjetrit.

“Iftari është momenti i madh i bashkimit. Kjo sofër na kujton se asnjë shqiptar nuk duhet të ndihet i vetmuar, sidomos ata që përballen me vështirësi ekonomike, pasiguri sociale apo pamundësi shëndetësore. Vendi ynë është bekuar me vlerën e çmuar të vëllazërisë fetare, një trashëgimi që ne duhet ta mbrojmë me xhelozi. Në këtë muaj të shenjtë, le të punojmë që kjo harmoni të përkthehet në më shumë përgjegjshmëri në jetën publike dhe më shumë ndershmëri në marrëdhëniet tona të përditshme”, ishte mesazhi i Kreut të Shtetit.