Gara e investimeve/ Preçi: Zgjatja e ligjit për investimet strategjike, përpiqem të kuptoj kujt po i bëhet nder
I ftuar në studion e emisionit “Drejt”, eksperti i ekonomisë Zef Preçi foli për debatin mbi zhvillimin e porteve turistike dhe zgjatjen e ligjit për investimet strategjike.
Preçi tha se Shqipëria nuk ka një masterplan të posaçëm për zhvillimin e porteve, ndërsa strategjia e turizmit 2024–2030 evidenton mungesën e tyre dhe i klasifikon sipas përdorimit.
Sipas tij, kuadri ligjor ekziston dhe ligji i porteve i vitit 2007 parashikon procedurë konkurruese.
“Nuk kemi një masterplan për portet. Kemi vetëm parashikime në strategjinë e turizmit. Por ligji i porteve i vitit 2007 e ka të zgjidhur çështjen me procedurë konkurruese.”- tha ai.
Ai ngriti shqetësimin se në praktikë është shmangur gara e hapur përmes zgjatjeve të njëpasnjëshme të ligjit për investimet strategjike, i cili ka pësuar disa ndryshime që nga viti 2018.
“Pas çdo zgjatjeje përpiqem të kuptoj kujt po i bëhet nder. Këto lëvizje i shoh të lidhura me interesa utilitare të përfituesve.”- shtoi eksperti.
Preçi sqaroi se nuk paragjykon raste konkrete, por vuri në dukje se parimi i zhvillimit shpesh është përdorur për të justifikuar interesa të tjera.
Nga ana tjetër, ai e konsideroi të ligjshëm shqetësimin e dhomave të tregtisë në qytetet bregdetare për mungesën e infrastrukturës ku mund të ankorohen mjetet lundruese dhe të zhvillohet aktiviteti turistik.
“Nuk ka asgjë të keqe që dhomat e tregtisë në Vlorë, Sarandë apo Durrës të kërkojnë porte. Por kjo duhet bërë me garë dhe me rregulla.”- u shpreh Preçi.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË:

