Shqipëria në Bordin e Paqes/ Kuko nga Kuvendi: Shumica e fjalimit të Kryeministrit iu kushtua Kosovës dhe UÇK-së
Në një lidhje direkte nga Kuvendi, deputetja e PS-së, Romina Kuko, komentoi zhvillimet në Bordin e Paqes, duke u ndalur te situata në Gaza dhe te referencat për Kosovën në fjalimin e kryeministrit.
Kuko sqaroi se nisma për krijimin e një Bordi të Paqes për Gazën nuk synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara, por të koordinojë përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të nisur rindërtimin.
Ajo kujtoi precedentë të ngjashëm nga presidentë amerikanë në momente krize globale.
“Nuk është hera e parë që një president amerikan merr përsipër të koordinojë botën për një çështje thelbësore. E kemi parë pas 11 shtatorit me koalicionin kundër terrorit dhe më pas me iniciativat kundër ekstremizmit të dhunshëm. Sot, përveç luftës në Ukrainë, çështja më e rëndë është Gaza dhe duhet një përpjekje për përfundimin e luftës dhe rindërtimin.”- tha ajo.
Deputetja socialiste u ndal edhe te fjalimi i kryeministrit, duke vënë në dukje se një pjesë e madhe e tij iu kushtua Kosovës dhe luftës së UÇK-së.
“Të gjithë prisnin një fokus të plotë te Shqipëria, por më shumë se gjysma e fjalimit iu kushtua Kosovës dhe nevojës për të mos delegjitimuar luftën për pavarësi përmes një dënimi në Hagë sipas pretencës së prokurorisë.”- shtoi Kuko.
