Zhupa: Të rishikohet projekti TID në Durrës, nuk i shërben turizmit dhe banorëve
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa reagoi sot lidhur me projektin për rikonceptimin e qendrës historike të Durrësit (TID), ndërsa theksoi se nuk janë bërë konsultime me banorët që preken nga ky projekt.
Duke replikuar në Kuvend me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Zhupa u shpreh se qeveria ka thënë se do ta rishikojë projektin por kjo nuk ka ndodhur.
“Keni shkuar te banorët dhe u keni thënë pranoni kushtet e dorëzimit dhe diskutimi me banorët ka qenë ‘hajt t’ju japim diçka më shumë’. Ndërkohë që aty bëhet fjalë për identitetin e qytetit të Durrësit. Për shtëpi që nuk është vënë një gozhdë se ishin në zonë konservimi”, u shpreh Zhupa.
Sipas saj, pikërisht ato shtëpi sot do shemben. “Përse sot ato shtëpi nuk kanë vlerë, ndërsa 200 vitet e fundit kishin? Ato nuk janë shtëpi që u ndërtuan tani, nuk janë banesa që nuk përfaqësojnë asnjë gjë. Janë identiteti dhe historia e Durrësit”, u shpreh Zhupa.
Sipas saj, nuk është kryer asnjë proces konsultimi me banorët dhe këtë e konfirmon edhe vetë Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e cila është shprehur se konsultime janë kryer me institucione në varësi dhe shoqatën e të verbërve.
Ndërkohë, Zhupa theksoi se ligji që lidhet me shpronësimet për interes publik parashikon konsultimit me ata që preken nga projekti, që në këtë rast janë banorët.
Sipas Zhupës, nuk ka ndodhur ndonjëherë që një OJF të vendosë se si do të organizohet qyteti pa bërë më parë një plan të përgjithshëm të detajuar bashkia.
“Në emër të banorëve por edhe të komisionit të Kulturës ju kërkoj ta rishikoni projektin dhe ta bëni siç i keni vënë emrin, që t’i shërbejë turizmit, sepse kështu siç është nuk i shërben as turizmit, as Durrësit, as banorëve dhe as interesit publik”, tha Zhupa.

