EMRAT/ Shfrytëzonin fëmijët për të punuar dhe lypur rrugëve të kryeqytetit, arrestohen tetë persona

Policia ka arrestuar ditën e sotme tetë persona në Tiranë. Ata u arrestuan nga forcat blu, pasi shfrytëzonin për të punuar dhe për të lypur fëmijët e mitur.

Katër prej të arrestuarve janë Eles Brahimaj, Rakip Sinani, Mikel Rama dhe Miklovan Gogaj, të cilët janë lënë me masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ndërkohë 4 gra të moshës 35 vjeçe janë lënë me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Nga veprimet hetimore disamujore, ka rezultuar se këta persona, individualisht dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për të punuar kryesisht gjatë natës, si dhe për të lypur, fëmijët e tyre të moshave 9-11 vjeç, në zona të ndryshme.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të cilët shfrytëzojnë fëmijët, për të punuar dhe/ose për të lypur, u finalizua operacioni i koduar “Filizat”, gjatë të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë:

-“Arrest në burg”, për shtetasit E. B., 41 vjeç, R. S., 35 vjeç, M. R., 35 vjeç dhe M. G., 34 vjeç;

-“Arrest në shtëpi”, për shtetaset L. B., 35 vjeçe, A. M., 41 vjeçe, M. S., 35 vjeçe dhe A. Sh., 35 vjeçe.