Inerte dhe baltë në aksin Elbasan-Funar/ Niveli i ujit në rezervuarin "Aksi 2-2" rritet ndjeshëm, rrezik dalje mbi digë

Moti i keq ka sjellë problematika edhe në qarkun e Elbasanit, ku përkatësisht në rezervuarin “Aksi 2-2” në Funar, niveli i ujit është rritur ndjeshëm, me tendencë për dalje mbi digë.

Përmes një njoftimi bëhet e ditur se Bashkia Elbasan, Prefektura Elbasan dhe Policia e Shtetit në koordinim me AKMC, kanë njoftuar strukturat përkatëse të mbrojtjes civile dhe situata është nën kontroll.

Po ashtu mësohet se në këto momente, sasia e ujit që po shkarkohet është më e madhe se prurjet hyrëse dhe konkretisht po shkarkohet rreth 3 metër kub në sekondë më shumë se sa ka prurje.

Megjithëse niveli i ujit pas shkarkimeve është ulur me rreth 20 centimetër, rreziku vijon të mbetet ekzistent dhe gjithçka do të varet nga kushtet e motit gjatë mbrëmjes së sotme.

Ndërkohë burime bëjnë të ditur se moti i keq ka çuar në rënien e inerteve dhe baltës në aksin Elbasan-Funar, ndërkohë që fadromat kanë ndërhyrë për pastrimin e rrugës.

Njoftimi:

Gjatë natës së mbrëmshme, duke vijuar edhe gjatë mëngjesit të sotëm, jami përballur me një situatë emergjente në rezervuarin “Aksi 2-2” në Funar, ku niveli i ujit është rritur ndjeshëm, me tendencë për dalje mbi digë.

Aktualisht, Bashkia Elbasan dhe Prefektura Elbasan dhe Policia e Shtetit në koordinim me AKMC, kanë njoftuar strukturat përkatëse të mbrojtjes civile dhe situata është nën kontroll.

Në këto momente, sasia e ujit që po shkarkohet është më e madhe se prurjet hyrëse, konkretisht po shkarkohet rreth 3 metër kub në sekondë më shumë se sa ka prurje.

Megjithatë, nuk mund të konsiderohet se rreziku ka kaluar plotësisht, pasi gjithçka mbetet e varur nga kushtet e motit në vijim të ditës dhe gjatë mbrëmjes.

Strukturat përgjegjëse, të mbështetura edhe nga efektivë të Policisë do të vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri të plotë për monitorimin e vazhdueshëm dhe menaxhimin e situatës.

Aktualisht është ulur niveli i ujit rreth 20 cm.