Të drejtat e v*ktimave mbeten në letër, avokatja Agolli zbardh realitetin në gjykata
Në kuadër të Javës për Viktimat e Krimit, ndërsa diskutohet për strategji të reja katërvjeçare nga Ministria e Drejtësisë, realiteti praktik për personat e prekur nga krimi në Shqipëri paraqet një tablo shqetësuese. Pavarësisht ndryshimeve ligjore të vitit 2017, që u dhanë viktimave një rol më aktiv në procesin penal, zbatimi i këtyre të drejtave duket se mbetet ende larg pritshmërive.
Avokatja Rezarta Agolli, nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas, e ftuar në emisionin "Epiqendër", në "Ora News", zbulon se megjithëse kuadri ligjor, i përafruar me direktivat e Bashkimit Evropian, u njeh viktimave të drejtën për t'u dëgjuar, për t'u rimbursuar për shpenzimet, për të paraqitur ankim dhe për të marrë ndihmë juridike falas, shumë prej këtyre të drejtave mbeten thjesht në letër.
"Kjo është java për viktimat e krimit dhe për sensibilizimin. Janë zhvilluar dje një konferencë e madhe dhe sot është zhvilluar një takim për fillimin e strategjisë katër vjeçare nga Ministria e Drejtësisë, ku ne kemi marrë pjesë edhe organizatt e shoqërisë civile dhe kemi dhënë opinionet tona të pavarura për viktimat e krimit.
Ne në fakt kemi punuar gjithmonë me viktimat e krimit, po zëri jonë nuk është dëgjuar derisa u bënë ndryshimet në vitin 2017 në kodin e procedurës penale, ku viktima mori një rol më aktiv sipas edhe direktivave të BE-së, që nuk kishte të drejtë vetëm të dëgjohej, por kishte të drejtë edhe të rimbursohej, kishte të drejtë ëh, edhe të paraqeste ankim pranë gjykatave, kishte të drejtë edhe të ankohej dhe të merrte ndihmë juridike falas ose jo me avokat.
Ne kemi punuar shumë me viktimat e krimit, sidomos me viktimat e dhunës në familje, me viktimat e mitura, ato të prekura nga dhuna seksuale, si dhe së fundi kemi një rol të veçantë me viktimat e prekura nga krimi kibernetik, sepse janë krijuar përndjekje të rënda dhe ne në fakt në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024 kemi monitoruar këto krime dhe në gjashtë gjykata të juridiksionit të përgjithshëm të shkallës së parë dhe kemi parë që përveç se dëgjohen kur lajmërohen, ato nuk kanë të drejta të tjera, ose nuk i ushtrojnë këto të drejtat e tjera.
Për shembull, vetëm në një rast kemi parë që një viktimë krimi kishte paraqitur një kërkesë për dëmshpërblim në gjykatë.
Ato asnjëherë nuk pyeten për për shpenzimet e tyre.
Sa herë ju duhen atyre të shkojnë në gjykatë, të ankohen, që nga fillimi i kallëzimit deri në fund. Ata me ligj apo çfarë ne kemi parë dhe çfarë shohim çdo ditë edhe në shërbime direkte, është letra e të drejtave që ju njoftohet. Por është kaq dhe mjaftohen me kaq.
Në vendimin e gjykatës përfundimtar, ne nuk arrijmë dot të shohim çfarë të drejtash ka ushtruar kjo viktimë.
Sidomos në gjykimet e shkurtuara, kur gjykimet bëhen shumë shpejt, nuk e di, kam pikëpyetje nëse arrijnë të dëgjohen apo jo. Njoftohen për gjykimin, por nëse arrijnë të dëgjohen apo jo, kemi shumë pikëpyetje sepse nuk del nga vendimet", u shpreh Agolli.

