59 AKUZA PËR SULMIN NË AUSTRALI/ I dyshuari është paraqitur në gjykatë dy muaj pas ngjarjes
Naveed Akram, i akuzuar për sulmin vdekjeprurës në Bondi Beach ku humbën jetën 15 persona, doli për herë të parë në gjykatë, aty ku do të përballet me 59 akuza, përfshirë vrasje dhe terrorizëm. Sipas avokatit, është ende herët për të thënë se çfarë deklarimi do të bëjë klienti i tij.
I dyshuari për sulmin e armatosur në Bondi Beach, Naveed Akram, është paraqitur për herë të parë në gjykatë, dy muaj pasi ai dhe babai i tij dyshohet se kryen sulmin më vdekjeprurës në Australi në gati 30 vitet e fundit.
24-vjeçari u paraqit për rreth pesë minuta në një gjykatë të Sidneit përmes video-lidhjes nga burgu.
Ai përballet me 59 akuza në lidhje me sulmin, përfshirë 15 akuza për vrasje dhe një për kryerje të një akti terrorist.
Sipas autoriteteve, Naveed dhe babai i tij, Sajid Akram, 50 vjeç, sulmuan gjatë një aktiviteti hebre në plazhin e njohur më 14 dhjetor, duke vrarë 15 persona dhe duke plagosur më shumë se 40 të tjerë.
Babai u qëllua për vdekje nga policia në vendngjarje, ndërsa Naveed u plagos rëndë dhe më pas u transferua nga spitali në burg.
Kjo ishte hera e parë që Akram u pa dhe u dëgjua që nga arrestimi i tij.
Ai shqiptoi vetëm një fjalë – “Po” – kur gjykatësja e pyeti nëse kishte dëgjuar diskutimin mbi zgjatjen e urdhrave të ndalimit të publikimit.
Këto urdhra mbrojnë identitetin e të mbijetuarve të sulmit, por u lejojnë atyre të vetë-identifikohen nëse dëshirojnë.
Avokati i tij, Ben Archbold, deklaroi jashtë gjykatës se është ende herët për të thënë se çfarë deklarimi do të bëjë klienti i tij. Ai shtoi se Akram po mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Goulburn dhe se kushtet atje janë shumë të rrepta.
Dokumentet gjyqësore të publikuara në fund të dhjetorit pretendojnë se sulmi ishte planifikuar me kujdes për muaj të tërë dhe se dyshja kishte vizituar zonën dy ditë para ngjarjes për ta studiuar terrenin.
Seanca e radhës për Akram është planifikuar të mbahet në muajin prill.

