Netanyahu: Zero uranium për Iranin! Izraeli vendos kushte të forta për marrëveshjen bërthamore
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërkon që çdo marrëveshje bërthamore me Iranin të detyrojë Teheranin të heqë dorë nga i gjithë uraniumi i pasuruar dhe nga çdo kapacitet pasurimi, ndërsa SHBA dhe Irani po përgatiten për raundin e dytë të negociatave në Zvicër.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin kushte maksimale ndaj Iranit në çdo marrëveshje të re bërthamore, duke kërkuar që Teherani të dorëzojë të gjithë uraniumin e pasuruar dhe të mos ketë më kapacitet për pasurim në të ardhmen.
Në një fjalim në Jerusalem, Netanyahu theksoi se “i gjithë materiali i pasuruar duhet të largohet nga Irani” dhe se “nuk duhet të ketë asnjë kapacitet pasurimi”, duke argumentuar se këto kushte janë thelbësore jo vetëm për sigurinë e Izraelit, por edhe për sigurinë globale.
Deklaratat vijnë në prag të raundit të dytë të negociatave mes SHBA dhe Iranit, që pritet të zhvillohet në Zvicër. Nga ana tjetër, Irani ka sinjalizuar gatishmëri për kompromis, por vetëm nëse SHBA është e gatshme të diskutojë heqjen e sanksioneve ekonomike.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Majid Takht-Ravanchi, deklaroi se Teherani mund të shqyrtojë uljen e nivelit të pasurimit të uraniumit 60%, por theksoi se kërkesa për pasurim zero është “vijë e kuqe” dhe shkel të drejtat e Iranit sipas traktatit për mos-përhapjen bërthamore.
Ndërkohë, SHBA ka rritur presionin ushtarak në rajon, duke dislokuar dy aeroplanmbajtëse dhe forca shtesë detare në Lindjen e Mesme. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se presidenti Donald Trump preferon një zgjidhje diplomatike, por nuk ka përjashtuar opsione të tjera.
Në negociata pritet të marrin pjesë emisari amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ndërsa delegacionin iranian do ta përfaqësojë ministri i Jashtëm Abbas Araghchi.
Një nga pikat kryesore të përplasjes mbetet edhe programi i raketave balistike të Iranit dhe mbështetja për grupet aleate në rajon, çështje që Teherani ka refuzuar t’i përfshijë në negociata.

