Wadephul: Përpjekjet franceze për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes të pamjaftueshme

Gjermania i ka cilësuar të pamjaftueshme përpjekjet e Francës për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe për të forcuar sovranitetin evropian.

“Presidenti francez Emmanuel Macron e përmend me të drejtë vazhdimisht aspiratën tonë për sovranitet evropian. Kushdo që flet për këtë duhet të veprojë në përputhje me rrethanat në vendin e vet. Përpjekjet e bëra deri tani në Republikën Franceze janë të pamjaftueshme për ta arritur këtë”, tha ministri Johann Wadephul në një intervistë për radion gjermane “Deutschlandfunk”.

Duke iu referuar objektivit të shpallur nga vendet e NATO-s për të arritur, nën presionin e Donald Trump, të paktën 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për shpenzime sigurie deri në vitin 2035, ministri theksoi se tek fqinjët e Gjermanisë “ka ende përparim për t’u bërë”.

Ai i bëri thirrje Francës të kursejë, veçanërisht në fushën sociale, për të siguruar hapësirën e nevojshme buxhetore për të arritur objektivin qendror të aftësisë mbrojtëse të Evropës.

Ministri hodhi poshtë gjithashtu thirrjen e presidentit francez për një formë të përbashkët evropiane të huamarrjes për të financuar investime të mëdha, duke iu bashkuar kështu qëndrimit të kancelarit Friedrich Merz.

Sipas tij, 5% e premtuar nga shtetet e NATO-s janë angazhime të shpenzimeve kombëtare dhe jo evropiane.