Samiti për IA-në në Nju Delhi diskuton nga mbrojtja e fëmijëve te ndikimi në mjedis
Nga mbrojtja e fëmijëve deri te ndikimi në mjedis, samiti ndërkombëtar për inteligjencën artificiale që nis sot në Nju Delhi paraqet ambicie të gjera, por mund të përfundojë pa angazhime konkrete.
Rreth 20 krerë shtetesh dhe qeverish (Franca, Brazili, Holanda, Spanja apo Emiratet e Bashkuara Arabe…) priten të marrin pjesë përkrah kryeministrit Narendra Modi në këtë takim të katërt botëror kushtuar një teknologjie që, në mbarë globin, tashmë po transformon shoqëritë.
Edicionet e mëparshme janë mbajtur në Paris, Seul dhe në Bletchley Park (Mbretëria e Bashkuar).
Shumica e drejtuesve më të mëdhenj të sektorit do të jenë gjithashtu të pranishëm: nga Sam Altman i OpenAI te drejtori i përgjithshëm i Google, Sundar Pichai, si edhe Jensen Huang, kreu i Nvidia, gjigantit amerikan të mikroprocesorëve.
Pas një sërë tryezash të rrumbullakëta dhe debatesh që nisin sot, Narendra Modi dhe homologët e tij pritet të hartojnë të enjten një udhërrëfyes të përbashkët për qeverisjen dhe bashkëpunimin global në fushën e inteligjencës artificiale.
E nxitur nga performanca e fortë në bursë e aksioneve të sektorit të teknologjisë, revolucioni në zhvillim po ushqen një sërë shqetësimesh lidhur me ndikimin e tij në mjedis, punësim, krijimtarinë artistike, arsim dhe informim.
Sipas organizatorëve të samitit, Modi synon miratimin e një rezolute që forcon partneritetet ndërkombëtare dhe pohon vendin e spikatur të Indisë në dekadën e ardhshme të inteligjencës artificiale.

