Ndryshime gjenetike nga Çernobili! Studimi lidh rrezatimin e me ndryshime gjenetike te fëmijët
Një studim i ri nga Universiteti i Bonit tregon për herë të parë se rrezatimi nga katastrofa bërthamore e Çernobili ka lënë gjurmë të trashëgueshme në ADN-në e fëmijëve të personave të ekspozuar, megjithëse rreziku për shëndetin mbetet i ulët.
Katastrofa e Çernobilit vazhdon të japë sinjale edhe dekada më vonë. Shkencëtarët gjermanë kanë zbuluar një lidhje të qartë mes ekspozimit ndaj rrezatimit dhe ndryshimeve gjenetike te brezi pasardhës.
Për vite me radhë ka pasur dyshime nëse dëmtimet e ADN-së mund të trashëgoheshin, por tani ka prova konkrete.
Kërkuesit analizuan ADN-në e fëmijëve të punëtorëve që morën pjesë në pastrimin e zonës së aksidentit bërthamor dhe i krahasuan me fëmijë, prindërit e të cilëve nuk ishin ekspozuar ndaj rrezatimit.
U zbulua se te fëmijët e grupit të parë kishte më shumë grupe mutacionesh të afërta me njëra-tjetrën një shenjë tipike e dëmtimit nga rrezatimi.
Sipas studiuesve, sa më e lartë doza e marrë nga babai, aq më i madh numri i këtyre gjurmëve gjenetike te fëmija. Rrezatimi mund të këpusë fijet e ADN-së dhe gjatë riparimit të tyre nga trupi mbeten “shenja” të vogla që më pas trashëgohen.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se rreziku real për shëndetin është i kufizuar. Shumica e ndryshimeve ndodhin në pjesë të ADN-së që nuk kontrollojnë funksione jetësore, dhe deri tani nuk është vërejtur rritje e sëmundjeve te këta fëmijë.
Madje, sipas studimit, mosha e madhe e babait në momentin e konceptimit mund të shkaktojë më shumë mutacione sesa nivelet e ulëta të rrezatimit të matura në këtë rast. Sidoqoftë, zbulimi shërben si kujtesë se ekspozimi ndaj rrezatimit mund të lërë gjurmë të holla, por afatgjata, në brezat që vijnë.

