"Dh*na që pamë në protestë s'lindi brenda natës"/ Meksi: Kjo është pasoja e presionit të vazhdueshëm nga qeveria
I ftuar në emisionin “Ora e Betit”, avokati Redon Meksi foli për protestën e fundit të opozitës dhe skenarët e shpalosur gjatë tubimit.
Sipas tij, dhuna e shfaqur në protestë nuk është një ngjarje e shkëputur, por produkt i një presioni të akumuluar ndër vite ndaj qytetarëve nga pushteti aktual.
“Dhuna që po shohim sot nuk ka lindur brenda një nate. Është pasojë e një presioni të vazhdueshëm dhe e një mënyre qeverisjeje që ka prodhuar revoltë te qytetarët.”- tha avokati.
Meksi vlerësoi se përfshirja e të miturve në përplasje dhe përdorimi i mjeteve piroteknike janë shenja të një radikalizimi të protestës, por jo domosdoshmërisht rezultat i një organizimi politik formal.
“Të miturit në rrugë nuk janë domosdoshmërisht të organizuar nga një parti politike. Kjo është simptomë e një klime të sëmurë sociale. Nëse ka individë që i nxisin, atëherë përgjegjësia duhet të bjerë mbi nxitësit.”- u shpreh ai.
Avokati e lidhi zemërimin qytetar jo vetëm me aferat e fundit korruptive, por me një sërë veprimesh shtetërore të grumbulluara ndër vite, që kanë krijuar ndjesinë e mungesës së drejtësisë dhe barazisë përpara ligjit.
“Nuk janë vetëm skandalet e fundit që e nxjerrin njerëzit në rrugë. Është një zinxhir i gjatë padrejtësish që ka mbledhur zemërim dhe e ka çuar shoqërinë në këtë pikë.”- ka thënë Meksi.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË:
