"Policia reagoi në mënyrë provokuese"/ Prençi krahason protestat: Mbi 400 policë të plagosur në 21 janar, sot vetëm 13

I ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora news", ishte politikani dhe ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, i cili kritikoi ashpër reagimin e forcave të rendit në protestën e fundit, duke e cilësuar të pajustifikuar dhe jashtë çdo standardi proporcionaliteti.

"Brezit tonë na takoi të rritemi nëpër protesta, si protestues dhe si menaxherë të policisë.

Duke përjashtuar vitin 1997, që ishte një pothuajse luftë civile të cilën e udhëhoqi dhe e përmbylli po Partia Socialiste, duke shpërthyer të gjithë depot e armëve, duke rrëmbyer të gjithë armatimin që kishte Shqipëria e 45 viteve të qeverisjes totalitare dhe pastaj protesta më e dhunshme, e cilësuar nga raporti i përbashkët i ICITAP-it dhe PAMECA-s, dy institucione zyrtare monitoruese të Policisë së Shtetit Shqiptar, ka qenë protesta e datës 21 janar 2011.

Protesta e djeshme, përpos faktit që organizohet nga një parti politike dhe ka detyrime sipas ligjit për të marrë disa masa, por asnjë parti politike në botë nuk mund të bëjë një protestë dhe ta menaxhojë pikë për pikë që të mos ketë probleme emocionale që mund të shkaktojnë disa njerëz të caktuar në protestë.

Prononcimi i kryeministrit të Shqipërisë për protestë të dhunshme në ditën e djeshme është sa qesharak, edhe hipokrit, sepse kur kujtojmë kryeministrin që bënte me shenjë grupeve të përgatitura ditë më parë për ngjarjen e datës 21 janar, që dirigjonte me gishta të gjithë deputetët, krahun e armatosur të deputetëve të Partisë Socialiste të opozitës së asaj kohe, të cilët ishin të përfshirë në një informacion të kualifikuar të shërbimeve sekrete të asaj kohe, që deputetët me emra, unë i di dhe me emra, po nuk dua t'i them publikisht, që i kishte ngarkuar Rama kush do binte më shumë eksponentë të Partisë Socialiste, të armatosur me gurë, me shkopinj druri, me shkopi hekuri, dhe të sulmonte.

Si ato që morën përsipër njerëzit t'i binin nga Paskuqani, nga Kamza, nga Shkodra dhe nga Lezha apo dhe nga pjesë të tjera të Shqipërisë, nga Elbasani e të tjerë e të tjerë.

Parë në këtë kontekst, dje ne i kemi përsëri institucionet monitoruese në Shqipëri, i kemi dhe trupat diplomatike në Shqipëri.

S'kanë thënë ndonjë fjalë të rëndë se paska pasur një protestë të dhunshme. Veprimet e policisë ishin përtej proporcionalitetit, sepse do isha plotësisht dakord që topat me ujë siç i quajnë disa, le të vepronin për të fikur ata flakët e shkaktuara nga molotovët artizanalë, por kurrsesi nuk, që në momentet e para, pa pa bërë fjalë askush, pa kryer asnjë veprim turma, se ka eksponentë, por jo të përdorish ndaj turmës.

Në momentin që ti e përdor ndaj turmës kur ende nuk është shpërndarë protesta, ti e ke irrituar vetë, e ke provokuar.

Dje unë, në syrin e ish-drejtorit të policisë dhe ish-drejtorit të forcave lëvizëse operacionale, pra forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe forcat speciale, kam lexuar se pse që në sekondat e para proporcionaliteti i kundërvënies së policisë ndaj pjesëmarrësve në protestë ishte skandaloz, ishte provokues.

Jam plotësisht dakord, përtej kangjellave që ishin ato shpërthimet e molotovëve që të fikeshin. Pastaj, veprimet e dhunshme ndaj një deputeti dhe analiza e kryeministrit dhe ministres së Brendshme duke cilësuar vetëm policët e plagosur. E dini sa policë kemi plagosur me datën 21 janar ju?

Kemi mbi 400. Sot paskan ngelur 12 apo 13 policë. Po kur arrestohet edhe shoqërohet edhe mbahet një 13-vjeçare në polici, si e lexon kryeministri? Si e lexon avokati i popullit? Kjo kërkon analizë. Nuk mundesh ti që t'u dhimbsen vetëm policët dhe unë jam, mua duhet të më dhimbsen policët, sepse unë jam bërë polic në moshën 18 vjeç. Unë e kam konsumuar jetën më vitale të jetës time e konsumuar nën uniformën e policisë. Kam ngrënë gurë, e kam ngrënë armatime, çfarë nuk është rrokullisur në kurrizin tim për 28 vite", u shpreh Premçi.