Përplasjet në protestë, Berisha: Edi Rama kishte përgatitur një skenar gj*derdhjeje

Nga foltorja e selisë blu, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se në protestën e djeshme kryeministri Edi Rama kishte përgatitur një skenar gjakderdhjeje.

DEKLARATA E BERISHËS

Qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë meritojnë mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh, të cilët dje me kryengritjen e tyre paqësore, i zbardhën faqen Shqipërisë, shënuan një kapitull të ri në kryengritjen paqësore të popullit shqiptar kundër narkoregjimit të Edi Ramës.

Pas 20 shkurtit të vitit 1991, 10 shkurti i vitit 2026 do të shënohet në analet e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar dhe njerëzor si ngjarja më e rëndësishme.

Si faqja më e ndritur e kryengritjes paqësore të shqiptarëve për çlirimin nga diktatura autoritare e organizatës kriminale që kryesohet nga Edi Rama.

Një mirënjohje dhe nderim të pakufishëm atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, që dje me protestën e tyre, kryengritjen e tyre paqësore, rikthyen shpresën, rikthyen besimin e shqiptarëve në triumfin e tyre, në fitoren e tyre mbi narkoshtetin.

Shqipëria është tjetër sot, nuk është më kurrë ajo e një dite më parë.

Dhe kjo është merita e madhe e njerëzve të sakrificës, e njerëzve të idealeve, e njerëzve të gatshëm të përballen për të mbrojtur vlerat më të çmuara të njeriut.

Detyrimi ndaj tyre është i pakufishëm.

Protesta e djeshme bindi çdo shqiptar se fitorja mbi narkoregjimin është e sigurt.

Se Edi Rama është një kufomë politike e pakallur. Se regjimi i tij kundërmon në Shqipëri dhe në Europë dhe duhet hedhur sa më parë.

Por në qoftë se kjo ishte madhështia e qytetarëve, revoltës së tyre, kryengritjes së tyre paqësore, i shëmtuar, antiligjor ishte reagimi i narkoqeverisë, i organizatës kriminale me në krye Edi Ramën ndaj protestuesve paqësorë.

Të tmerruar nga urtia dhe qëndrueshmëria e protestuesve, Edi Rama kishte përgatitur skenarin e gjakderdhjes. Kishte përgatitur ekzekutimin e protestuesve paqësorë në shesh.

Për këtë qëllim ai kishte vënë në komandë, në krye të banditëve me uniformë, kriminelin famëzi Sokol Bizhga, njeriun që dorëzoi tek bandat oficerin e policisë Gjergj Mehmeti që ndodhej në makinë me të.

Dhe ky shpëtoi, kurse atë e dogjën të gjallë banditët në rrugën Sarandë-Gjirokastër. Gjergj Mehmeti u tradhtua nga një i pabesë që meriton të gjitha dënimet për tradhtinë e tij.

Dhe ky kriminel është sot në pozitat më të larta në policinë e Edi Ramës. Ky urdhëroi snajperët të qëllojnë katër protestues, të cilët në mënyrë absolute nuk po kryenin asnjë veprim ndaj policëve të rendit. Jo.

Ilir Tusha, protestues i vazhdueshëm në protestat tona, po filmonte, në një kohë kur e godasin snajperët në ballë.

Goditja me plumba gome në kokë provohet në të shumtën e rasteve vdekjeprurëse. Tjetër, Luan Lleshi i goditur edhe ai pa asnjë motiv. Demë Dollapi, i goditur edhe ai në kokë. Me plagë. Dhe një zonjë.

Pra, janë katër protestues të plagosur, të qëlluar tre prej tyre në kokë, me qëllim eliminimin fizik të tyre. Edi Rama donte gjak për të shpëtuar plaçkën që ka vjedhur vetë dhe Lubinë.

Ky akt, qëllimi me snajper ndaj protestuesve paqësorë, dëshmon dhe njëherë lakminë për gjak që ka Edi Rama. E garantoj se do mbajë përgjegjësi gjer në fund për urdhrin e djeshëm. Për skenarin e djeshëm.

Jo vetëm kaq, policia përdori mjete piroteknike përveç gazit dhe ujit, përdori mjete piroteknike kundër demonstruesve dhe këto janë të gjitha të filmuara. Barbari e vërtetë ndaj gazetarëve. Arian Asimi mbeti i asfiksuar.

Demonstrues tjetër, me aftësi thellësisht të kufizuara, u tërhoq zvarrë në rrugë sikur të mos ishte njeri. U nxor nga karroca e tij dhe u tërhoq zvarrë.

Gazetarëve u hodhën me qëllim sasira të mëdha gazi me qëllim që të mos kryenin dot detyrat e tyre. Ndaj një operatori të News24 është hedhur mjet piroteknik.

Sipas të gjithë të dhënave, që është hedhur nga ana e policisë drejt tij, kjo është e sigurt. Por cili ishte mjeti, mbetet për t’u verifikuar.

U ndaluan 25 vetë, nga të cilët 17-ve u kanë komunikuar masën e arrestit, absolutisht pa asnjë fakt. Pa asnjë fakt! Thjesht i kanë kapur për numër. Këta janë: Juel Korbi, 17 vjeç, Rei Bogdani, 16 vjeç, Orest Halilaj, 17 vjeç, Kreshnik Kastrati, 16 vjeç, Zeni Guri, 16 vjeç.

Dua t’u them këtyre të rinjve se janë krenaria e mbarë kombit shqiptar. E nisin jetën politike në një betejë me të keqen e kombit të vet.

Arturo Kadria, 19 vjeç, Sadri Peka, 17 vjeç, Kreshnik Çeço, 36 vjeç, Suzana Dinushi, 48 vjeç, Klodiana Bajrami, 24 vjeç, Leonid Tusha, 21 vjeç, Gjesti Velçanaku, 19 vjeç, Klajdi Subashi, 26 vjeç, Ramazan Nuki, 29 vjeç, Florian Nuku, 32 vjeç, Daniela Leka, 17 vjeç, Ernest Kapo 31 vjeç. E kanë liruar.

Heronj të vërtetë. Heronj të vërtetë të gjithë këta. U shpreh solidaritetin tim dhe të mbarë shqiptarëve.

Ata janë aty si qëndrestarë dhe dënoj me forcën më të madhe urdhërarrestin ndaj qytetarëve që në përputhje me Kushtetutën po protestonin të revoltuar.

I garantoj autorët e këtij arresti se drejtësia vonon, por nuk harron mbi ta. Dhe do të bjerë. Zonja dhe zotërinj, dhuna e egër e banditëve dje nuk kurseu deputetë të Kuvendit popullor.

Ju jeni dëshmitarë se si para kamerave, u vërsulën me urdhër të veçantë, goditën dhe keqtrajtuan deputetin Bledion Nallbati, me urdhër të Edi Ramës, i cili në mënyrë absolute nuk po kryente asnjë veprim, përveçse po ndihmonte një të mitur që po e keqtrajtonin.

Akt politik kriminal. Goditja publike e Bledion Nallbatit, përpjekja për ta asfiksuar me gaz në fytyrë përbën një krim të shëmtuar, një hakmarrje primitive të Edi Ramës ndaj deputetit guximtar, Bledion Nallbati.

Qëndrim brutal, të dhunshëm, kriminal, kanë mbajtur ndaj deputetit Zija Ismaili, doktor Zija Ismaili, i cili, edhe ai po protestonte krejtësisht në përputhje me standardet tona të revoltës paqësore.

Sulmi fizik ndaj deputetëve të opozitës dëshmon se Edi Rama kërkon përballje civile.

Edi Rama është një hakmarrës primitiv, i cili për t’i shpëtuar ligjit nga miliardat që ka vjedhur së bashku me Lubinë, është i gatshëm të kryejë çdo veprim vetëm e vetëm t’i shpëtojë ligjin.

Por unë e garantoj Edi Ramën se është absolutisht i pashpresë. Ajo kryengritje paqësore e 10 shkurtit faktoi pikërisht këtë. Edi Rama është i pashpresë.