Vata: Bashkia Mat dhe Klos me dosje të rënda penale në SPAK

Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku deklaron se bashkitë Mat dhe Klos janë nën hetim nga SPAK për çështje të rënda penale.

Sipas saj, Bashkia Mat ka një dosje në SPAK lidhur me tendera, ndërsa Bashkia Klos po hetohet për krime zgjedhore. Deputetja thekson se kur në një zonë të vogël dalin dy dosje të tilla, nuk mund të flitet për gabim administrativ, por për ‘kulturë pushteti’.

Postimi i plotë në FB:

Bashkia Mat dhe Klos me dosje të rënda penale në SPAK
Bashkia Mat ka dosje në SPAK për #tendera.
Bashkia Klos ka dosje për #krime zgjedhore.
Pra, në njërën dyshohet për abuzim me paratë publike,në tjetrën për deformim të vullnetit të qytetarëve.
Paratë publike dhe vota.
Dy shtyllat e demokracisë. Të dyja nën hetim.
Ky është alarm.
Sepse kur në një zonë të vogël dalin dy dosje kaq të rënda, problemi nuk është “gabim administrativ”.
Është kulturë pushteti.
Tenderat për ujësjellësa ,sheshe fiktiv e rrugë ,para që duhet të shkojnë për shërbime ,përfundojnë në hetim.
Zgjedhjet që duhet të jenë garë e lirë përfundojnë në dosje penale.
Dhe pastaj na flasin për normalitet.
Nuk ka normalitet kur vota hetohet dhe tenderi hetohet në të njëjtën zonë.
Nuk ka stabilitet kur SPAK troket në dyert e së njëjtës hartë për dy krime që lidhen drejtpërdrejt me pushtetin.
Sepse aty ku hetohet vota dhe paraja publike, aty ku dyshohet për manipulim dhe abuzim në të njëjtin territor, shteti është i kapur.