Korreshi: Qëllimi i opozitës s’është policia, por rrëzimi i qeverisë. Nallbati i lënduar në kokë nga goditjet e shfrenuara të FNSH-së

Përplasjet gjatë protestës së opozitës lanë të plagosur 19 efektivë policie, deputetin Bledion Nallbati dhe disa qytetarë, ndërsa rreth 20 protestues u shoqëruan në polici.

Shumica e të lënduarve morën ndihmë mjekësore dhe u larguan nga spitalet, ndërsa deputeti dhe disa efektivë mbeten nën trajtim. Opozita paralajmëroi vazhdimin e protestave, duke caktuar 20 shkurtin si datën e mobilizimit të radhës.

Për të kuptuar më shumë mbi situatën që ka krijuar protesta e pasdites së djeshme në një intervistë për “Ora News” deputeti demokrat Saimir Korreshi u shpreh se nuk e di ku e gjen guximin kjo qeveri të ushtrojë dhunë ndaj protestuesve.

“Së pari i uroj shërrim të shpejtë të gjithë të lënduarve, sepse lufta e opozitës nuk është me policinë, por rrëzimi i kësaj qeverie.

Mënyra se si i nxjerrin policët e shkretë që mezi i ushqejnë kalamajtë e tyre dhe se si i vënë në sprovë ata me urdhrat që japin është tjetër gjë.

Kolegu Bledion Nallbati e panë të gjithë momentin që u sulmua, tashmë është bërë virale dhe videoja ku mund të ushtrohet dhunë ndaj një deputeti në atë mënyrë nga i gjithë grupi i FNSH-së t’i shkojë deputetit afër dhe ta godisin e më pas t’i lëshojnë sprajin në fytyrë në atë formë.

Ne patjetër që jemi të keqardhur për lëndimin e policisë, por ajo që njerëzit po përjetojnë dhe kërkojnë s’ka lidhje me ta, por ndonjëherë është mënyra se si kjo qeveri na ka vënë me shpatulla pas muri.

Gjendja e Nallbatit është stabël. Janë arrestuar 6 të mitur nën moshën 18 vjeç ndodhen në Komisariatin 2 deri në orën 12 të natës që isha unë atje.

Bledioni besoj se është mirë, por akoma nuk ka folur për sot, mbrëmë do bënte një skaner, por ai do të rrijë nën vëzhgimin e mjekëve pasi goditjet në kokë kanë bërë punën e tyre”, u shpreh Korreshi.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME DEPUTETIN SAIMIR KORRESHI