U kap në kufi me municion luftarak dhe a*më të ftohta, përfundon në pranga 39-vjeçari nga Kosova

Një 39-vjeçar nga Kosova është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, pasi u kap duke tentuar të hynte në Shqipëri me municion luftarak dhe disa armë të ftohta në automjet.

Gjatë kontrolleve të shtuara në kufi, Policia Kufitare ndaloi makinën e drejtuar nga shtetasi M. L. për një kontroll më të detajuar.

Gjatë verifikimit, brenda automjetit u gjetën 2 karikatorë me fishekë, 2 thika, 1 sëpatë dhe 1 shkop metalik i ngjashëm me atë që përdorin efektivët e policisë.

Të gjitha sendet e paligjshme, bashkë me automjetin, u sekuestruan.

Ndërkohë, 39-vjeçari u vu në pranga dhe po hetohet për trafikim municionesh dhe mbajtje të paligjshme të armëve të ftohta.

Materialet janë dërguar në Prokurori, e cila do të vijojë procedurat ligjore për rastin.