Meta: Injoroi apelin e Bundestagut në maj 2019 për të mos bërë zgjedhje njëpartiake 

Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama për pezullimin e Belinda Ballukut. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta u shpreh se rrëmbyesi i reformës kapi sërish drejtësinë. Meta tha se Rama që prej vitit 2017 ka shkelur Kushtetutën dhe ka deformuar Reformën në Drejtësi. Sipas tij, kryeministri po bllokon integrimin e vendit në BE.

Në lidhje me këtë, Meta tha se Rama injoroi apelin e Bundestagut në maj 2019 për të mos bërë zgjedhje njëpartiake, në mënyrë që të mos hapeshin negociatat në tetor 2019. Në fund, ai tha se drejtësia dhe integrimi kanë armikun më të betuar 'narko-recidivistin', që ka tmerr nga drejtësia dhe nga vota e popullit.

Reagimi i plotë:

Recidivisti vetëshpallet edhe garant i drejtësisë. Kur turpi nuk ka më turp nga turpi çdo gjë mund të dëgjosh.

Sot rrëmbyesi i Reformës në Drejtësi, që nga zgjedhja antikushtetuese e Prokurorit të Përgjithshëm, Arta Marku në datë 18 dhjetor 2017 (me 69 vota nga 84 vota që sanksiononte Kushtetua e miratuar me 140 vota), që nga minimet që i bënte Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duke e lënë Shqipërinë tre vite pa Gjykatë Kushtetuese, që nga shpikja e betimeve te Lana të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që e mori përgjigjen në mitingun historik të 2 Marsit, që nga kapja e vettingut që e kontrolloi bashkë me Agaçin duke përjashtuar prokurorët e “Dosjes 184” të Dibrës, sot vendosi të kapë prapë drejtësinë.

Por tani, përmes ndryshimit të ligjeve në mënyrë të njëanshme, pas dështimit të kontrollit punëtor-fshatar (parlamentar) të SPAK-ut. Po ky nuk është recidivist vetëm për kapjen e drejtësisë, por edhe për bllokimin e integrimit europian. E harruat si e injoroi apelin e Bundestagut në maj 2019 për të mos bërë zgjedhje njëpartiake në mënyrë që të mos hapeshin negociatat në tetor 2019?

Prapë të njëjtën gjë po bën. Atëherë i mashtronte shqiptarët edhe me McGonigalët dhe Mogerinët e tij, por edhe me larvat pseudo-opozitare. Tani ka ardhur dita “O Sot, O Kurrë!” për ta vendosur recidivistin përballë llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pengmarrjes së drejtësisë dhe bllokimit te integrimit europian prej tij, që e nisi që me kushtin e Kryetarit të Qarkut të Fierit, që në vitin 2012.

Drejtësia dhe integrimi kanë armikun më të betuar Narko-recidivistin, që ka tmerr nga drejtësia dhe nga vota e popullit. Çdo gjë që nuk e ble dot, e llahtaris recidivistin, ndaj popullin dhe zemërimin popullor ai e ka frikë pa fund.