"Hetime të plota" - GJKKO godet me “grusht” Erion Veliajn
Sot, GJKKO, pas 15 seancash shtyrje pa ndalim, që pas çuarjes së akuzave në 24 korrik 2025, ka vendosur që të kalojë në gjykim çështjen e Erion Veliajt dhe 29 bashkëpunëtorëve të tij.
Gjykata i ka gjetur me bazë akuzat dhe nuk e ka kthyer dosjen për hetim. Dosja është gjetur me hetime të plota. Ky është fakti që duhet theksuar.
Si në raste të rralla, kujtojmë rastin e Ilir Beqajt, të inceneratorëve etj., dosjet kthehen për plotësime duke thënë se hetimet janë të paplota ose akuzat e pabaza, kurse në rastin e Veliajt, gjykata i ka gjetur akuzat me bazë dhe nuk e ka kthyer dosjen se hetimet janë të plota.
Është shumë i rëndësishëm për drejtësinë shqiptare dhe rastin specifik të Erion Veliajt qëndrimi që mban GJKKO, megjithëse ka qenë nën një presion dhe sulm të vazhdueshëm e të pandalshëm mediatik e politik, jo vetëm me portale dhe me lajmet e mediave të blera e të paguara sa nga afera e inceneratorëve apo dhe nga vëllai i Erion Veliajt, Arbër Veliaj, i cili është një tjetër person nën hetim në një dosje tjetër që po hetohet nga SPAK-u.
Ka qenë në sulm nga media të huaja, nga portale të huaja deri në Kongresin Amerikan ose në Senat ku kompania lobiste ka përgatitur një raport ku mashtron në lidhje me çështje të thëna në mediat shqiptare si rasti kur pretendohet se prokurori i çështjes, Ols Dado, kishte kërkuar një shtesë leje nga kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, dhe ky ia ka refuzuar, kur në fakt prej rreth një viti ende nuk e ka nxjerrë dokumentin, as kërkesën me firmën e prokurorit dhe as refuzimin me firmën e tij.
Nga ana tjetër në raport theksohej se ishte një anëtar aktiv i PD-së.
Mashtrime, presione, sulme ndaj prokurorëve, gjithashtu ndaj gjyqtarëve Erjon Bani dhe Engert Pëllumbi, të pandalura dhe çuditërisht asnjë fjalë dhe për ish-kreun e SPAK-ut dhe prokurorin tjetër të çështjes, Altin Dumani.
Një situatë për të krijuar një diversion, një përplasje, për të krijuar një konflikt me qëllim, por sot mesa duket gjithçka është e ezauruar.
Gjykata nuk ka rënë pre e propagandës, sulmeve, akuzave dhe shantazheve të bëra publike, por ka dhënë një vendim duke çuar në gjykim çështjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëpunëtorëve të tij të tjerë, përfshirë këtu edhe disa zyrtarë./ CNA

