Përmbytjet kanë "shtuar" aflatoksinën! Sulaj paralajmëron zinxhirin e kontaminimit: Substanca transmetohet në qumësht
Përmbytjet e fundit në vend kanë shtuar rrezikun për sigurinë ushqimore, duke favorizuar përhapjen e aflatoksinës në zinxhirin ushqimor.
Kapllan Sulaj, Dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit,paralajmëron se lagështira dhe kushtet e krijuara nga përmbytjet ndikojnë drejtpërdrejt në kontaminimin e ushqimeve për kafshët, duke rritur mundësinë që kjo substancë e rrezikshme të kalojë më pas në produktet ushqimore që konsumohen nga qytetarët.
“Është një përmbajtje kimike e cila origjinën e vet e ka nga myqet, kryesisht që rriten në substrate të ndryshme. Që rriten te ushqimet e kafshëve dhe nga ushqimi i kafshëve kalon në trupin e tyre, në rastin tonë te lopët. E transmeton me anë të qumështit.”- shpjegoi Sulaj.
Sipas Sulajt, aflatoksina është një substancë kancerogjene, e lidhur me tumoret e mëlçisë dhe dëmtime të tjera serioze shëndetësore.
Profesori tekson se gjatë periudhës së dimrit nivelet e aflatoksinës janë zakonisht më të larta dhe situata përsëritet nga viti në vit.
