26 ditë nga momenti i zhdukjes, ende asnjë gjurmë për 30-vjeçarin Jurgen Kara
Kanë kaluar 26 ditë nga momenti kur 30-vjeçari Jurgen Karaj, banues në fshatin Fullqet të Klosit, dyshohet se u rrëmbye nga rrjedha e ujit në Dars, më 10 janar. Që prej asaj dite, operacioni i kërkimit ka vijuar pa ndërprerje përgjatë lumit Mat.
Çdo ditë në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë në Burrel, familjarë të të riut si dhe struktura të tjera mbështetëse. Prej 29 janarit, operacionit i është bashkuar edhe një ekip i specializuar nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, me 11 efektivë që punojnë krah forcave shqiptare.
E gjithë vija e lumit Mat është kontrolluar disa herë, ndërsa kërkimet janë shtrirë edhe në basenin e liqenit të Ulzës. Njësia nga Kosova ka përdorur dron nënujor në hyrje të liqenit, duke mundësuar verifikime edhe në thellësi. Deri më 3 shkurt, nuk është gjetur asnjë gjurmë e 30-vjeçarit.
Në zonë këtë të enjte ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Piro Vengu, si dhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maçedonsi.
Operacioni pritet të vijojë në ditët në vijim, ndërsa ulja e prurjeve të lumit ka krijuar kushte më të favorshme për kontroll më të detajuar nga grupet e angazhuara.
