EMRAT/ Dosja e AKSHI-t, Apeli i GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë Mirlinda Karçanajt dhe të akuzuarve të tjerë
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi këtë të enjte, masat e sigurimit të vendosura më herët për të pandehurit në çështjen e AKSHI-t.
Sipas vendimit, Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi do të vijojnë të qëndrojnë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa për të pandehurit e tjerë në këtë proces gjyqësor mbeten në fuqi masat e mëparshme të vendosura nga shkalla e parë.
Gjykata ka vlerësuar se nuk ka ndryshime në rrethanat që do të justifikonin lehtësimin apo ndryshimin e masave të sigurisë, duke vendosur kështu vazhdimësinë e tyre deri në një vendimmarrje tjetër.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 4 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve M.K, H.D, E.I, R.Rr, A.P, G.H: “- Ankim kundër vendimit nr. 125, datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktim mase sigurimi personal.
– Ankim kundër vendimit nr. 131, datë 18.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personale shtrënguese për personat nën hetim M.K, H.D, E.I, R.Rr, A.P, G.H”, duke miratuar vendimin nr. 125, datë 15.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt znj. H.D, z. E.I., z. G.H, znj. M.K, z. A.P dhe z. R.Rr dhe vendimin nr. 131, datë 18.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale”,- thuhet në njoftim.
Arrest në burg: Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, (në kërkim)
Arrest në shtëpi: Mirilda Karçanaj dhe Hava Delibashi,
Pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit: zv.drejtori i policisë Tiranë Erion Ismaili,
Ndalim për të dalë jashtë vendit: Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta.
Karçanaj, Agasi, Beqiri dhe zyrtarët e tjerë akuzohen për shkelje barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

