Xi: Kina dhe Rusia koordinim strategjik global më të thelluar

Presidenti kinez Xi Jinping i kërkoi sot homologut të tij rus, Vladimir Putin, të forcojnë koordinimin dypalësh dhe të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të siguruar stabilitetin global, sipas një medie shtetërore kineze.

”Palët duhet (…) të sigurojnë që marrëdhëniet kino-ruse të vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme dhe në drejtimin e duhur, përmes një koordinimi strategjik më të thelluar”, tha Xi gjatë një video-konference me Putinin, sipas një raportimi të televizionit kinez CCTV.

Sipas të njëjtit burim, lideri kinez gjithashtu bëri thirrje që Pekini dhe Moska të ruajnë së bashku stabilitetin strategjik global.

Gjatë telefonatës, Putin theksoi marrëdhënien e fortë dypalëshe midis Moskës dhe Pekinit, duke vënë në dukje lidhjet tregtare në rritje të vazhdueshme.

Ai tha se Rusia është furnizuesi më i rëndësishëm i energjisë i Kinës, me vëllimin tregtar që mbetet i qëndrueshëm në mbi 200 miliardë dollarë.

Putin vizitoi Pekinin për herë të fundit në shtator 2025, duke marrë pjesë në një paradë ushtarake së bashku me Xi për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Azi.

Të dy udhëheqësit zhvilluan një video-thirrje për herë të fundit gati një vit më parë.

Ndërkohë, bisedimet e paqes që përfshijnë përfaqësues ukrainas, rusë dhe amerikanë po zhvillohen në Abu Dabi, duke synuar të negociojnë një fund të luftës në Ukrainë, e cila filloi në shkurt 2022 pas pushtimit të Rusisë.