NË ARREST PËR STERILIZIMIN/ Kushtetuesja i rrëzoi padinë, Beqaj letër nga burgu anëtarëve të gjykatës: Në 7 muaj s’kam folur as 2 orë
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke mbajtur në fuqi vendimet e mëparshme të dhëna nga gjykatat e të gjitha shkallëve.
Përmes avokatit të tij, Beqaj ka bërë publike një letër drejtuar anëtarëve të Kushtetueses, ku shprehet se nuk është njoftuar zyrtarisht për rezultatin e votimit.
Ai thekson se rrëzimi i kërkesës nënkupton se të paktën katër gjyqtarë kanë votuar kundër tij, por nuk përjashton mundësinë që vendimi të jetë marrë unanimisht nga të tetë anëtarët.
Në letër, ish-ministri ngre edhe pretendime për mungesë të së drejtës së dëgjimit, duke argumentuar se procedurat nuk i kanë dhënë mundësinë të paraqesë personalisht qëndrimet e tij.
Sipas Beqajt, gjatë shtatë muajve që çështja ka qenë në shqyrtim, atij nuk i është dhënë as dy orë kohë për t’u dëgjuar para gjykatës.
Ai shton se po të kishte pasur mundësinë, do të kishte parashtruar argumentet e tij që më 23 dhjetor 2025, përfshirë edhe pritshmëritë lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, drafti i të cilave ishte publikuar për konsultim që në tetor 2025.

