'APTAMIL' RREZIKON BEBET/ Eksperti Kapllan Sulaj: Helmimi i lëndës së parë, shkak për toksinën në qumësht
Pas njoftimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për tërheqjen nga tregu të ushqimit për foshnja “Aptamil 1 Pronutra”, ka nisur menjëherë procedura e kthimit të produktit në pikat e shitjes.
Qytetarët që e kanë blerë këtë qumësht artificial janë udhëzuar të mos e përdorin dhe të përfitojnë rimbursim të plotë.
Shkak për këtë vendim u bë identifikimi i substancës Cereulide në një seri të produktit, njoftim që mbërriti në Shqipëri përmes Sistemit Evropian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin, RASFF, më 22 janar.
“Unë mendoj që ka patur kontaminim të lëndës së parë, të qumështit, sepse është qumështi që po prodhohet nga kafshët dhe nga lopët kryesisht, që përodret për të prodhur qumështin e bebeve.
Ky kontaminim ka ardhur dhe ka krijuar premisa për këto toksina.”- Profesori i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Kapllan Sulaj.
Profesor, Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Kapllan Sulaj shpjegon se procesi i përpunimit te qumeshtit termik ndodh që nuk arrin gjithmonë të eliminojë plotësisht rrezikun.
“Kjo ka ndodhur për shkak se temperatura 70 gradë është një proces pasterizimi që vret format vegjetative, bakteret e gjalla por nuk shkatërron format sporale.
Këto i rezistojnë temperaturave të larta.”-tha ai.
Sipas Sulajt, rreziku për shëndetin e foshnjave rritet në rastet kur doza e toksinës është e lartë, ndërsa pasojat janë më të theksuara tek fëmijët me probleme të tjera shëndetësore.
Autoritetet u bëjnë thirrje prindërve të tregojnë kujdes maksimal dhe të verifikojnë produktet ushqimore për foshnjet, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë kontrollet për garantimin e sigurisë ushqimore.

