VIDEO/ Historia e portierit “hero” të Benficës, Trubin u largua nga Ukraina për shkak të luftës

Portieri i Benficës, Anatoliy Trubin, ka shkruar një nga historitë më emocionuese të këtij sezoni në Champions League. 24-vjeçari ukrainas, i cili në fëmijëri ka përjetuar tmerrin e luftës, u shndërrua në heroin e mbrëmjes duke shënuar golin vendimtar që i dha Benficës fitoren 4-2 ndaj Real Madridit në “Da Luz”.

Në minutën e 98-të, kur gjithçka dukej e humbur dhe portugezët kishin nevojë për një gol për të siguruar vendin e 24-t dhe kualifikimin në “play-off”, Trubin u ngjit në zonën e Realit për një goditje standarde.

Pas një krosimi perfekt nga Fredrik Aursnes, ai goditi me kokë dhe mposhti Thibaut Courtois, duke u bërë vetëm portieri i pestë në histori që shënon në Champions League.

Ky gol jo vetëm që mbajti gjallë ëndrrën europiane të Benficës, por edhe nxori Real Madridin jashtë “Top 8”, duke e detyruar të kalojë gjithashtu nga faza e “play-off”-it.

Rruga e Trubinit drejt këtij momenti ka qenë e mbushur me sfida. Në vitin 2014, në moshën 13-vjeçare, ai u detyrua të largohej nga Donetsku drejt Kievit për shkak të konfliktit në Ukrainë, kur ishte pjesë e akademisë së Shakhtar Donetsk. Më pas, në vitin 2022, u zhvendos sërish si refugjat brenda vendit, pas pushtimit rus, së bashku me nënën dhe motrën e tij.

Pavarësisht vështirësive, ai arriti të zhvillojë 94 ndeshje me Shakhtar përpara se të transferohej te Benfica në vitin 2023, ku tashmë numëron mbi 130 paraqitje në të gjitha kompeticionet.