ZYRTARIZOHEN EMRAT/ Armand Duka për herë të parë i vetëm në garë, për postin e presidentit të FSHF-s

Armand Duka do të jetë kandidatura e vetme për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) në Asamblenë Zgjedhore që do të zhvillohet më 16 shkurt 2026 në “Shtëpinë e Futbollit”.

Përveç postit të presidentit, në garë janë 13 kandidatura për 10 vende në Komitetin Ekzekutiv të FSHF, duke përfshirë emra si Abdyl Kuriu, Anila Basha, Arben Dervishaj, Armando Cungu, Blendi Fevziu, Edmond Hasanbelli, Envi Hicka, Erind Resuli, Ervin Canollari, Geri Çipi, Gjergji Petro, Lutfi Nuriu dhe Pano Xhixho.

Komisioni i Verifikimit të Kandidaturave ka përfunduar procesin e aplikimeve dhe ka zyrtarizuar listën e delegatëve të FSHF që do të marrin pjesë në Asamblenë e 16 shkurtit, në përputhje me vendimin përkatës të datës 03.12.2025.

Gjatë këtij takimi do të zgjidhen presidenti dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv për mandatin e ri katërvjeçar, duke vendosur drejtimin e futbollit shqiptar për periudhën 2026-2030.