BENFIKA E “SHOKON” REALIN/ Madrilenët mposhten 4 me 2 nga Benfika, përfundojnë në play-off

Real Madrid nuk ka mundur të sigurojë një vend mes 8 ekipeve më të mira në champions ligë. Los Blankos u mposhtën 4 me 2 nga Benfika e Murinjos. Skuadra e Arbeloas tashmë detyrohet të luajë një ndeshje plej of për të vijuar aventurën në champions ligë

Real Madrid ka zhgënjyer në sfidën e fundit të Champions Ligë. Skuadra e Arbeloas u mund 4 me 2 në transfertë ndaj Benfikas duke shpërdoruar mundësinë për të kaluar direkt në fazën tjetër.

Në Lisbonë, në përballjen mes trajnerëve Zhoze Mourinho dhe Alvaro Arbeloa, fitues doli “profesori”. Ndeshja kishte një ritëm të lartë, teksa golat dhe spektakli nuk munguan deri në sekontën e fundit. Portugezët bënë një përmbysje të madhe ndaj madrilenëve, duke siguruar një vend në play off.

I zakonshmi Mbape hapi serinë e golave, teksa realizoi me kokë pas gjysmë ore lojë.

Kundërpërgjigja ishte me të njëjtën mënyrë nga vendasit që rikthyen baraspeshën 5 minuta më pas.

Një penallti i në kohën shtesë të pjesës së parë i dha avantazhin Benfikës së Murinjos.

Vetëm fitorja nuk e kualifikonte Benfikën, pasi u duheshin 2 gola diferencë. Skuadra e Murinjos vijoi sulmet dhe në minutën e 54 shënojnë golin e tretë.

Mbape shënoi sërish duke mbajtur gjallë shpresat për një rezultat pozitiv, gjë që nuk ndodhi, pasi portieri Trubin bëri një mrekulli në fund të ndeshjes.

Gardiani i Benfikës braktisi portën dhe shkoi në sulm. Në aksionin  e fundit ai shënoi me kokë.

Trubin futet në histori të champions ligë duke u bërë portieri i pestë që shënon në këtë kompeticion. Real Madridi e mbylli sfidën me 9 lojtarë pasi Raul Asenscio dhe Rodrygo dolën me të kuq.

Triumfi i ngjiti Benfikën në vendin e 24 dhe të fundit që të dërgon në play off, ndërsa Real Madrid zbriti nga vendi i tretë në vendin e 9 dhe tashmë duhet të luajë edhe dy ndeshjet për tu kualifikuar në 16-çe.

Trajneri Arbeloa mori përgjegjësitë e kësaj humbje të Realit. Tekniku u shpreh pas sfidës me Benfikën se ishte faji i tij për disfatën, pasi nuk ishte në gjendje të menaxhonte ndeshjen dhe të përgatiste ekipin për fitore.