Banka e parë digjitale në Shqipëri, risi teknologjike dhe test për sigurinë kibernetike

Hyrja e bankës së parë digjitale në tregun financiar shqiptar përbën një risi të rëndësishme për sistemin bankar, duke shënuar një hap drejt modernizimit të shërbimeve financiare dhe përafrimit me standardet evropiane.

Ky zhvillim pritet të sjellë një model të ri operimi, të bazuar tërësisht në teknologji digjitale, si dhe të rrisë konkurrencën në treg.

Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, vlerësoi se Shqipëria ka treguar gatishmëri për të përqafuar risitë, edhe pse përballet ende me sfida infrastrukturore dhe informuese.

“Hyrja e bankës digjitale do të na afrojë më shumë me tregjet bankare evropiane dhe do të rrisë konkurrueshmërinë e sistemit financiar”, u shpreh Radonshiqi.

Sipas saj, përvoja pozitive e qytetarëve me shërbimet online ka treguar se digjitalizimi sjell përfitime konkrete, duke reduktuar kohën dhe kostot si për individët, ashtu edhe për bizneset, përfshirë zonat rurale. E njëjta prirje pritet të reflektohet edhe në sistemin bankar, përmes rritjes së efikasitetit dhe aksesit në shërbime financiare.

“Banka digjitale nënkupton kosto më të ulëta transaksionesh, kursim kohe dhe rritje të konkurrueshmërisë, si në aspektin e të bërit biznes, ashtu edhe në realizimin e operacioneve financiare”, tha ajo.

Radonshiqi theksoi se banka e re digjitale pritet të shërbejë si model për bankat e tjera tregtare, duke nxitur digjitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve dhe orientimin e tregut bankar drejt inovacionit teknologjik.

Megjithatë, krahas risive që sjell, digjitalizimi i plotë i shërbimeve bankare shoqërohet edhe me sfida të rëndësishme, ku kryesorja mbetet siguria kibernetike. Sipas ekspertes, rritja e përdorimit të platformave digjitale ekspozon sistemin financiar ndaj rreziqeve të reja, përfshirë sulmet kibernetike, të cilat mbeten një shqetësim për qytetarët dhe bizneset.

“Pavarësisht lehtësive dhe efikasitetit që ofron banka digjitale, sfida kryesore lidhet me garantimin e sigurisë së të dhënave dhe transaksioneve financiare. Kjo kërkon masa të shtuara sigurie dhe bashkëpunim të ngushtë mes bankave dhe institucioneve rregullatore”, theksoi Radonshiqi.

Sipas saj, adresimi i sfidës së sigurisë kibernetike do të jetë vendimtar për ndërtimin e besimit të publikut dhe për suksesin afatgjatë të modelit të bankës digjitale në Shqipëri, duke e kthyer këtë risi në një faktor pozitiv për zhvillimin e gjithë sistemit bankar.

Banka e parë digjitale, e cila ka marrë miratimin nga Banka e Shqipërisë, do të operojë pa degë fizike, duke ofruar shërbime bankare përmes platformave digjitale. Modeli i saj synon të kombinojë teknologjinë e avancuar me procedura të thjeshtuara, kosto më të ulëta transaksionesh dhe një qasje të përqendruar te klienti, duke ndryshuar mënyrën tradicionale të ndërveprimit me bankën.