VIDEO/ Gjimnazi “Sulejman Elezi” do të mirëpresë mbi 800 nxënës në kushte dinjitoze

Nxënësit dhe mësuesit e gjimnazit “Sulejman Elezi” në Laknas, bashkia Kamzë, do të kenë së shpejti kushte më të mira.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i ndërtimit të këtij gjimnazi, ndërsa theksoi se gjimnazi i shtohet zinxhirit të shkollave model në bashkinë e Kamzës.

“Në Laknas vijojnë punimet për ndërtimin nga e para të gjimnazit “Sulejman Elezi”, i cili do të mirëpresë mbi 800 nxënës në kushte dinjitoze”, theksoi Rama.

Kjo shkollë do të jetë e hapur për komunitetin me ambiente pritëse, ambiente sportive, kulturore, artistike që mund t’i shërbejnë nxënësve dhe gjithë komunitetit të zonës.

Në nisje të vitit të ri arsimor 2025-2026 hapën dyert 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara në të gjithë vendin, me 340 laboratorë smart.

Ndërkohë që janë 42 kantiere shkollash të hapura njëherësh në të gjithë vendin, të cilat do të përfundojnë me buxhetin e vitit 2026.