Drazhi: Nga ferma te tavolina juaj, a është i sigurt qumështi që konsumoni?

Polikseni Drazho, në Sektori i Aktivitetit Shkencor dhe Komunikimit me RASFF, AKU, e ftuar në emisionin "Alert", në "Ora News", u shpreh se siguria ushqimore fillon që te lënda e parë.

Një produkt, siç është qumështi, nuk duhet të pranohet kurrë nga një operator biznesi ushqimor nëse nuk përmbush kërkesat themelore të sigurisë.

Ky është parimi bazë mbi të cilin funksionon i gjithë zinxhiri i prodhimit, duke vendosur përgjegjësi të qarta për çdo hallkë të tij.

"Mund të jetë një nga elementët kyç ose tregues kyç i sigurisë ushqimore, siç ka dhe shumë të tjerë.

Mund të jetë ngarkesa mikrobiologjike, kushtet e ruajtjes. Ka shumë faktorë, por në mënyrë absolute një produkt, lëndë e parë në këtë rast, nuk duhet të pranohet nga operatori i biznesit ushqimor nëse nuk përmbush kërkesat e sigurisë ushqimore.

Madje, madje, për më tepër, bizneset në shumë raste bëjnë edhe selektim kur lidhet me parametrat e cilësisë, që mund të jetë përmbajtja proteinike, përmbajtja e karbohidrateve, në varësi gjithmonë të produktit.

Kështu që, ky është hapi i parë që ne mund ta quajmë një lloj vetëkontrolli i brendshëm i biznesit pa u futur autoritetet. Sepse pjesa e qumështit ka dhe një lloj debati sepse janë dhe institucione të tjera të përfshira.

Nëse flasim në ferma, nëse flasim qumështi i prodhuar, kështu që ne mund të diskutojmë edhe më gjatë, po.

Edhe ushqimin për kafshë. Kështu që, patjetër këto janë disa elementë që duhen kontrolluar.

Një operator i biznesit ushqimor ka detyrimin dhe të drejtën e tij absolute të pranojë një lëndë të parë që përmbush të gjithë kërkesat dhe të gjithë parametrat.

Ai mund të bëjë dhe një analizë, sepse nuk është e thënë.

E merr vërtet lëndën e parë me faturë, e merr dhe ndoshta me një raport analize nga një laborator i palës së tretë, sikundër kemi thënë dhe herë të tjera, por ka të drejtën e tij të dyshojë të gjithë këtë proces dhe të bëjë një analizë vetëkontrolli", u shpreh Drazho.