FOTO/ Shtatë profesioniste të reja i bashkohen ekipit të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”
Ekipit të mjekëve në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” i janë bashkuar shtatë profesioniste të reja, duke forcuar më tej shërbimet shëndetësore për qytetarët.
Angazhimi i mjekëve të rinj në spitalet publike dhe ato rajonale në vend është një mundësi profesionale, duke u dhënë atyre eksperiencë praktike dhe kontakt të drejtpërdrejtë me problematikat e pacientëve.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot portretet e profesionisteve të reja duke vënë në dukje se ato i janë bashkuar Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në kryeqytet, për të shërbyer me përkushtim.
Tashmë studentët për katër vite gjatë formimit të tyre marrin 80% të pagës së mjekut specialist dhe 100% ata të cilët kryejnë specializimin në degët prioritare “mjekësi familje” dhe “mjekësi urgjence”.
Me rihapjen në vitin 2015 të programit të specializimeve afatgjata në mjekësi, po zbatohet një model i qëndrueshëm për shpërndarjen e mjekëve në të gjithë vendin, duke forcuar shërbimet shëndetësore edhe në spitalet rajonale e bashkiake.

