SPAK lançoi në publik emrat e dëshmitarëve si të pandehur. Martini: Janë shpifje të pabazuara.

Nga Elton Qyno

Lançimi në publik i 8 emrave zyrtarësh të një grupi shokësh që njihen qysh prej kohës së fëmijërisë, është një skenar intrigues i servirur nga SPAK, duke krijuar pseudoperceptimin në publik, se këta zyrtarë ishin dora fundore që mernin materialet hetimore që nxirrte Arnold Rrokaj nga 3 E-malet e prokurorëve Behar Dibra, Elida Kaçkini dhe Enkeleda Millonai.

Në SPAK, janë pyetur rreth 80 dëshmitarë për këtë çështje, por vetëm në publik u hodhën 9 emra, gjoja ndërveprues të grupit kriminal.

Fillimisht shashkën e zbulimit të këtij grupi armiqësor, (që zyrtarisht s’ka asnjë lidhje me akuzën, por dhe me hakerimin), e hodhi në publik gazetarja Klodiana Lala, dhe një ditë më pas tjerrja e leshit vijoi me publikimin e emrave konkrete, se medemek këta ishin përfituesit e dokumenteve që nxirrte grupi kriminal.

Hetimi ka provuar se emrat si gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Sokol Ngreqi, ish-prokurori i krimeve të rënda Anton Martini, Dritan Palnikaj nipi i Agim Ismailit, Ermal Kënaçi, Melsi Beli, Blerina Hoxha, Jonida Baçi, Ylli Gaxholli dhe Maltin Malaj, nuk kanë lidhje as me hakërimin dhe as me administrimin e dokumenteve sekrete.

Këta persona janë thirrur në SPAK si dëshmitarë dhe jo si persona nën hetim apo qoftë dhe të pandehur.

Por lançimi nga SPAK i emrave të tyre si përfituesit fundorë të materialeve hetimore, cënon besimin e vetë institucionit, i cili duket se ka si strategji të lançojë në publik emrat e dëshmitarëve të çështjes, duke krijuan imazhin e tyre në publik si persona përgjegjës dhe jo dëshmitarë që kanë dhënë deklarime dhe ndihmuar hetimin, e oficerëve.

Disa prej këtyre dëshmitarëve, janë pyetur në SPAK jashtë orarit zyrtar të punës së oficerëve.

Veprime këto që më pas kasta drejtuese e SPAK i konsideroi si veprime favorizuese dhe diferencuese në raport me të tjerët, me argumentin se disa nga dëshmitarët duhet të ishin thirur kur ishin kamerat para SPAK,në mënyrë që regjia televizive të ishte më e bukur.

T’i thuash gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Ngresit, se ka ndërvepruar me Zambak Gjonin, Arnold Rrokaj dhe Agim Ismailit, për të marrë dokumentet sekrete të SPAK, është njëlloj sikur ti kesh ngritur akuzën publike.

Kur dihet që Sokol Ngresi, ka një lidhje miqësore dhe familjare me Agim Ismailin dhe kjo lidhje miqësore është forcuar akoma dhe më tepër pas vrasjes së Ilir Ngresit, mik i ngushtë i Agim Ismailit dhe vëllai i Sokolit.

Njëherësh lançimi në publik i ish-zv/drejtuesit të Krimeve të Rënda Anton Martini, se ky ish-prokuror ka ndërvepruar përmes një grupi “Whatsapp”, me grupin kriminal për të vjelur materialet sekrete të SPAK, tregon veçse një strategji djallëzuese.

Anton Martini, s’mund të lançohet në publik nga SPAK si bandë, kur vetë ka qenë prokuror i Krimeve të Rënda dhe ka një rekord dosjesh penale në goditjen e bandave që nga periudha e 1997 e deri kur është larguar prej asaj prokurorie.

Këto rezultate të tij, i di dhe vetë Altin Dumani.

Nuk kishte arsye Anton Martini të merrte dosjet e Behar Dibrës, kur me Dibrën ka ndarë bankën e akuzës.

I kontaktuar në telefon nga gazetari Elton Qyno, ish-prokurori Anton Martini u shpreh se:

“…në lidhje me përmendjen dashakeqe të emrit tim në disa shkrime të publikuara sot, që më lidhin me çështjen e daljes së disa akteve nga email-i i Prokurorisë së Posaccme, sqaroj se nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë dijeni për këtë fakt, në asnjë rrethanë. Për këtë arsye, kam kontaktuar edhe prokurorin e çështjes, të cilit i shpreha shqetësimin tim lidhur me këto shpifje të pabazuara. Gjithashtu, si ish-koleg i tyre, shpreh mbështetjen time të plotë për punën dhe integritetin e Prokurorisë së Posaccme…”.

Akoma dhe më e rëndë është lançimi në publik i dëshmitares, Blerina Hoxha, si përfituese e dokumenteve të SPAK. Kjo e fundit për shumë pak kohë ka qenë punonjëse pranë AKSHI-t.

Hoxha, nuk ka qënë pjesë e asnjë grupi “Whats app” dhe nuk ka asnjë njohje me anëtarët e këtij grupi gjoja përfitues të sekreteve.

Vetëm një dokument është dërguar tek telefoni i Blerina Hoxhës, nga kolegu i zyrës së saj, Melsi Beli.

Hoxha nuk është as lidhje e Melsi Belit dhe as e Zambakut, as e Antonit, Gim Ismailajt apo Arnoldit.

Ajo është pyetur si dëshmitarë dhe vetëm kaq. Njësoj siç është pyetur Altini, që mori informacionin nga Elvi Fundo për materialet sekrete.

Por kryqëzimi i këtyre emrave në publik nuk tregon aspak profesionalizëm në ruajtjen e imazhit dhe integritetit të dëshmitarëve.

Aq më tepër kur të gjithë këta emra do thirren si dëshmitarë në seancën gjyqësore kundër të pandehurve Arnold Rrokaj, Zambak Gjonit dhe Agim Ismailit dhe do japin deklarime para trupit gjykues.

Mirëpo pavarësisht kësaj situate të lançimit të emrave të dëshmitarëve në publik sikur të ishin të pandehur, vetë SPAK nuk ka mbajtur asnjë qëndrim lidhur me shkaktarët e brendshëm që çuan në thyerjen e kodeve të e-maileve të 3 prokurorëve.

E-Mailet e 3 prokurorëve u hapën nga Arnold Rrokaj duke përdorur jo njohuri të posaçme, por duke futur kode tafti-bafti, të cilët më pas rezultuan të suksesshëm me paswordin “SPAK@2019”.

Të paktën deri tani, SPAK ende nuk ka marrë masa administrative apo qoftë disiplinore për njerëzit përgjegjës brenda institucionit që me neglizhencën e tyre i dhanë mundësinë Arnold Rrokaj, të depërtonte në sistemin e brendshëm të E-Maileve.