Pesë vende të BE-së synojnë qendra jashtë bllokut për azilkërkuesit e refuzuar
Gjermania dhe katër vende të tjera anëtare të BE-së po synojnë të rrisin presionin mbi bllokun për të krijuar të ashtuquajturat qendra për kthimin e azilkërkuesve jashtë Bashkimit Evropian, për të përpunuar kërkesat e refuzuara për azil.
“Marrëveshja për këtë çështje u arrit sot në një grup pune që përfshinte Greqinë, Austrinë, Danimarkën dhe Holandën”, tha ministri gjerman i Brendshëm, Alexander Dobrindt, gjatë një takimi të ministrave të brendshëm të BE-së në Qipro.
Sipas ministrit Dobrindt, Komisioni Evropian do të shoqërojë këtë proces.
“Pesë vendet anëtare planifikojnë të hartojnë një udhërrëfyes për të identifikuar vendet e treta të gatshme për të zhvilluar së bashku modele inovative’”, tha Dobrindt.
Vendet anëtare të BE-së ranë dakord në dhjetor për të krijuar një bazë ligjore për vendosjen e qendrave të kthimit në vendet e treta, për të strehuar azilkërkuesit që duhet të largohen nga blloku, por nuk mund të deportohen në vendet e tyre të origjinës.
Vendimet e mëparshme mbi ligjin e migracionit, si për shembull përcaktimi i vendeve të sigurta të origjinës ose baza ligjore për procedurat e azilit në vendet e treta, janë miratuar në Parlamentin Evropian me mbështetjen e së djathtës ekstreme.

