VIDEO/ Çmimi i naftës, Xhixho: Kjo nuk është qeverisje, por zhvatje e organizuar e qytetarëve shqiptarë

Deputetja dhe njëherësh Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, denoncoi këtë të mërkurë çmimin e lartë të naftës që paguajnë sot qytetarët shqiptarë.

Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Xhixho thotë se kjo nuk është qeverisje, por është zhvatje e organizuar e qytetarëve shqiptarë!

REAGIMI I PLOTË I ERISA XHIXHOS

Sot dua të flas për një padrejtësi të madhe ekonomike që kjo qeveri e ushqen çdo ditë: çmimin e naftës.

Në Shqipëri, qytetarët paguajnë rreth 1.83 euro për litër.

Në Kosovë rreth 1.18 euro,

në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi rreth 1.27 euro.

Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburanteve, ndërkohë që ka pagat më të ulëta dhe fuqinë blerëse më të dobët në Europë. Kjo nuk është rastësi, por zgjedhje e qëllimshme politike.

Mbi 60% e çmimit të naftës janë taksa, akciza dhe TVSH. Çdo rritje e naftës reflektohet menjëherë në rritjen e çmimeve të ushqimeve, të transportit dhe të çdo shërbimi. Sot, qytetarët paguajnë më shtrenjtë bukën, qumështin, vajin dhe çdo produkt bazë, sepse qeveria ka zgjedhur të taksojë rëndë karburantin.

Megjithëse 20% e çmimeve të ushqimeve përbëhet nga TVSH, maxhoranca refuzon sistematikisht të ulë TVSH-në e produkteve bazë, duke mos lehtësuar asnjë barrë për familjet shqiptare.

Kjo qeveri nuk ndërhyn për të mbrojtur qytetarët. Ajo ndërhyn vetëm për të mbrojtur interesat e saj dhe të oligarkëve. Ndërsa njerëzit varfërohen, qeveria pasurohet nga taksat e tyre.

Kjo nuk është qeverisje.

Është zhvatje e organizuar e qytetarëve shqiptarë!