SPAK zbardh grupin që trafikonin kokainë nga Amerika Latine në Shqipëri

SPAK zbardh grupin që trafikonin kokainë nga Amerika Latine në Shqipëri

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për një grup kriminal të përfshirë në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë. Personat e dyshuar u arrestuan në nëntor 2024, pas hetimeve të kryera nga prokurori Adnan Xholi.

Në mesin e të dyshuarve janë shtetas shqiptarë: Geis Gejsullai, Klajd Birçce, Aldi Zonja, Artion Çaushllari, Endi Sejdini, Ismail Abdurrahmani dhe Baki Huqi, si dhe tre shtetas të huaj – dy venezuelianë dhe një kolumbian.

Hetimi nisi pas zbulimit të një laboratorit droge në Frakull të Fierit, pranë banesës së ish-funksionarit Viktor Ccervanaku, ku policia gjeti 485 kg kokainë të fshehur në plehra kimikë.

Sipas burimeve hetimore, rolet kryesore i luanin Geis Gejsullai, Klajd Birçce, Artion Çaushllari – një personazh me eksperiencë edhe në funksione publike – dhe Endi Sejdini, për të cilin ka dyshime për kontakte me struktura policore. Pjesa tjetër e grupit kishte role dytësore, ndërsa shtetasit e huaj u përfshinë si ekspertë të përpunimit të drogës.

SPAK ka dokumentuar dy ngarkesa të trafikuara nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, të cilat kanë kaluar përmes portëve italiane dhe janë fshehur në lëkurat e gjedheve. Në vend u identifikuan tre qendra kryesore për përpunimin e drogës, kryesisht në banesa dhe zona të sigurta, ku përmes përzierjeve kimike rritej sasia e kokainës e cila kishte destinacion tregjet europiane.

Prokuroria po punon me agjenci partnere të huaja për të identifikuar të gjitha subjektet e përfshira, përfshirë shqiptarë që kanë siguruar kokainën në vende si Ekuadori dhe Republika Dominikane, ose që kanë koordinuar veprimet në Amerikën Latine.

Konferenca për mediat nga SPAK pritet të mbahet sot në orën 12:30.