Presidentja e Meksikës në bisedë telefonike me Trump: Luftë kundër trafikut të dr*gës

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi sot se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, ku në fokus kanë qenë çështjet e sigurisë dhe lufta kundër trafikut të drogës.

Në një postim në platformën X, Sheinbaum deklaroi se ata diskutuan për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, duke theksuar respektimin e sovranitetit të Meksikës, si dhe për përpjekjet e përbashkëta kundër trafikimit të narkotikëve.

Po ashtu, sipas Sheinbaum në bisedë u trajtuan edhe temat e tregtisë dhe investimeve mes dy vendeve.

Në reagimin e saj, presidentja Sheinbaum theksoi se bashkëpunimi dhe partneriteti në një kuadër respekti të ndërsjellë japin gjithmonë rezultate.