SUPER TË PASURIT, NDOTËSIT KRYESORË! Oxfam: Të varfrit vuajnë pasojat e krizave që nuk i shkaktojnë

1% e më të pasurve të botës kanë harxhuar pjesën e tyre të emetimeve të karbonit vetëm 10 ditë pas nisjes së vitit 2026, ndërsa 0.1% më të pasurve e kanë konsumuan pjesën e tyre brenda 3 ditësh. Sipas raporteve, super të pasurit jo vetëm prodhojnë më shumë ndotje, por investojnë edhe në industritë më ndotëse. Organizatat mjedisore kërkojnë taksa më të larta për ndotësit më të mëdhenj, për të financuar veprimet urgjente kundër krizës klimatike.

Një raport i ri i Oxfam zbulon se njëpërqindshi i më të pasurve të planetit ka konsumuar pjesën e tyre të emetimeve vjetore brenda vetëm 10 ditëve të para të vitit 2026. Sipas të njëjtit studim, 0.1% e elitës globale, kishte nevojë për vetëm tri ditë që të shterojë sasinë e emetimeve që i takon për një vit të tërë.

Oxfam thotë se ky nivel i pabarazisë klimatike përkthehet në pasoja dramatike për popullsitë që kanë kontribuar më pak në krizën klimatike, përfshirë vendet me të ardhura të ulëta, komunitetet indigjene, gratë dhe vajzat, të cilat tashmë preken rëndë nga përmbytjet, thatësirat dhe fenomenet ekstreme të motit.

Raporti paralajmëron se dëmi ekonomik global i shkaktuar nga këto emetime mund të arrijë deri në 44 trilionë paund deri në vitin 2050, duke rënduar më së shumti vendet në zhvillim.

Oxfam bën thirrje që vendet e pasura, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, të rrisin taksat ndaj pasurisë ekstreme ndotëse. Sipas organizatës, 1%-shi më i pasur në Britani prodhon më shumë karbon për vetëm 8 ditë sesa 50% më i varfër për një vit të tërë.

Super të pasurit, sipas raportit, jo vetëm emetojnë më shumë karbon, por mbajnë edhe portofola investimesh që gjenerojnë ndotje të lartë. Në mesatare, një miliarder ka investime që prodhojnë rreth 1.9 milionë tonë CO₂ në vit, e barabartë me 400 mijë makina me benzinë.

Për të respektuar objektivin global të Marrëveshjes së Parisit dhe për të mos tejkaluar rritjen e temperaturës mbi 1.5 gradë, 1%-shi më i pasur i botës duhet të ulë emetimet me 97% deri në vitin 2030.

Ekspertët e Oxfam kërkojnë taksa të drejta mbi ndotësit më të mëdhenj, përfshirë fluturimet me avionë privatë dhe kompanitë e naftës e gazit.