MJEKU QË SHËRBEN NË RRËNOJA! Doktor Ahmed Muhana kthehet në Gaza pas 665 ditësh burg në Izrael

Dr. Ahmed Muhana, një nga mjekët më të rëndësishëm të urgjencës në Gaza, është rikthyer në vendlindje pas 665 ditësh në burgjet izraelite, duke gjetur spitalin dhe qytetin e tij të kthyer në rrënoja. Ai thotë se mungesa e stafit, pajisjeve dhe ilaçeve ka sjellë një krizë të re, pavarësisht armëpushimit zyrtar.

Dr. Ahmed Muhana, një nga konsulentët më të lartë të anestezisë dhe emergjencës në Gaza, u rikthye në vendlindje pas gati dy vitesh në burgjet dhe qendrat e ndalimit izraelite.

Gjatë gjithë kohës në izolim, ai thotë se është torturuar, mbajtur i lidhur me ditë të tëra, lënë pa ushqim, pa trajtim dhe ka parë persona të vdesin para syve për shkak të mungesës së kujdesit mjekësor, teksa shtoi se e vetmja gjë që e mbante gjallë ishte ideja se do të kthehej pranë familjes dhe spitalit ku kishte shërbyer prej dekadash.

Por ditën që u lirua, rruga drejt spitalit e tronditi. Aty, ai gjeti vetëm rrënojat dhe shkatërrim.

Spitali i tij ishte thuajse i boshatisur nga stafi, pajisjet mjekësore dhe barnat. Ai thotë se 75 kolegë janë vrarë, ndërsa, sipas organizatave ndërkombëtare, mbi 1 200 punonjës shëndetësorë palestinezë janë vrarë që prej tetorit 2023.

Pavarësisht armëpushimit, emergjencat nuk kanë pushuar: 77% e popullsisë, përfshirë 100 000 fëmijë, vuajnë nga mungesa e ushqimit. Në spital mbërrijnë çdo ditë fëmijë me kequshqyerje të rëndë dhe komplikacione që pak vite më parë do të trajtoheshin lehtësisht.

Shkatërrimi i qëllimshëm i sistemit shëndetësor e ka çuar Gazën drejt kolapsit. 94% e spitaleve janë të dëmtuara ose të shkatërruara dhe mungesa e pajisjeve të avancuara është kritike.

Pacientët me kancer nuk marrin trajtim, tumoret përhapen pa kontroll dhe rastet e dështimeve renale janë rritur nga mungesa e aparaturave të dializës.

Në këtë realitet të zymtë dhe me plot sfida, doktor Muhanna vazhdon punën e tij, për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe për të qenë aty për sa më shumë njerëz.