INDI/ Merz: Shpresoj se SHBA-ja do të marrë pjesë në një prani më të fortë të NATO-s në Groenlandë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha se pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin pjesë në një prani më të fortë të NATO-s për të përmirësuar sigurinë e Groenlandës, ndërsa një mosmarrëveshje transatlantike po ngrihet mbi kontrollin e territorit të madh të Arktikut.

“Ne ndajmë shqetësimet e SHBA-së se kjo pjesë e Danimarkës ka nevojë për mbrojtje më të mirë”, tha sot Merz gjatë një vizite në Indi.

“Ne duam të përmirësojmë, së bashku situatën e sigurisë së Groenlandës. Dhe supozoj se edhe amerikanët do të marrin pjesë”, shtoi ai.

Deklarata e Merz vjen ndërsa ministri i Jashtëm, Johann Wadephul ndodhet në Uashington për bisedime me homologun e tij amerikan, Marco Rubio.

Kancelari gjerman, Merz tha se shpresonte për një zgjidhje miqësore brenda NATO-s.

“Për sa i përket shkallës së kontributit nga SHBA-ja, kjo do të tregohet nga bisedimet në ditët dhe javët e ardhshme”, tha ai.

Disa shtete të NATO-s, si Britania e Madhe, kohët e fundit kanë folur në favor të zgjerimit të pranisë së aleancës në Arktik.

Propozimi parashikon një mision monitorimi të quajtur “Arctic Sentry”, sipas diplomatëve.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë vazhdimisht se vendi i tij duhet të marrë pronësinë e Groenlandës për arsye të sigurisë së SHBA-së.

Ai nuk e ka përjashtuar marrjen e ishullit me forcë.

Zëvendëskancelari dhe ministri gjerman i Financave, Lars Kingbeil, gjithashtu ndodhen në kryeqytetin e SHBA-së për bisedime.

Groenlanda, me një popullsi rreth 57,000 banorë, është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, por gëzon autonomi të konsiderueshme, me përjashtim të fushave të mbrojtjes dhe politikës së jashtme.